Ecuria e suksesshme që ka pasur Skënderbeu në Europë gjatë këtyre viteve, sidomos në edicionin e fundit, i ka dhënë mundësinë që të sigurojë një koeficient të lartë në renditjen e UEFAs.
Për këtë arsye, kampionët e Shqipërisë pritet të jenë në vazon e parë gjatë shortit për të mësuar kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampioneve. Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende lista, për shkak se në tre kampionate (Izrael, Moldavi dhe Luksemburg) nuk është përcaktuar kampioni, kjo nuk pritet ta cenojë faktin që korçarët e kanë të sigurt pjesëmarrjen në vazon e parë, sepse gëzojnë një koeficient prej plot 7.825. Bardhekuqtë mund të përfitojnë nga fakti që përballë, në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve, të kenë skuadra të lehta në letër, siç mund të ishin Liepaja, Krusaders, Mladost Podgorica, Dundalk, SJK i Finlandës, kampionia e Moldavisë, apo ajo e Luksemburgut. Kualifikimi për në raundin tjetër i jep Skënderbeut që, gjithsesi, të ketë një rrugë të gjatë në Europë. Edhe nëse eliminohen në raundin pasardhës, kampionët shqiptarë do të siguronin pjesë marrjet në “playoff”et e Ligës së Europës. Gjithsesi, sivjet kanë shpallur objektivin për të bërë surprizën në Champions.
Në raundin e tretë (nëse kalon një kundërshtar), listës së ekipeve që marrin pjesë do t’i shtohen skuadra si Olimpiakosi apo Plzen. Aktualisht, në vazon e parë, ekipi i Mirel Josës është së bashku me gjigantë të tjerë të kontinentit, si Salzburgu, Sëlltiku apo Dinamo e Zagrebit, të cilët do t’i evitojë në short. Ndryshe nga disa sezone më parë, tashmë Skënderbeu shihet si një rival që duhet evituar…
panorama.al