Policia arrestoi Lekë Frrokun, i cili dyshohet se është i përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në Lezhë.
Frroku është arrestuar në afërsi të Rinasit, gjatë një kontrolli të rastësishëm, teksa mësohet se ishte në shoqërinë e dy femrave.
Mësohet se Frroku ka qenë një ndër organizatorët e skemës së tjetërsimit të pronave.
Disa ditë më parë, një prej zyrtarëve që u arrestuan për këtë vepër penale ishte dhe kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, por gjykata vendosi t’a lërë në ‘arrest shtëpie’ dy ditë më pas. Arrestimi i kryebashiakut demokrat u shoqërua me protesta nga familjarë e mbështetës të Frrokajt, si në komisariatin e policisë, ashtu edhe para gjykatës.
Skema
Sipas policisë zyrtarët dhe ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me detyrën dhe kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore. Më pas është rregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshe Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.