Ekipi të Skënderbeut iu rezervua një trajtim i pazakontë nga autoritetet maqedonase, pasi u detyrua t’i drejtohej menjëherë kufirit. Skuadra korçare kthehej nga Zagrebi në Shkup të premten pas ndeshjes me Dinamon. Autobusi i ekipit u shoqërua me patrullë policie nga aeroporti i kryeqytetit maqedoas deri në kuqi gjatë të gjithë kohës, pa patur të drejtën të ndalonin. Një shoqërim që nuk ishte kërkuar nga klubi shqiptar.
“Ishte një sjellje pa shkak dhe kur i pyetëm nuk na dhanë arsye, duke na thënë vetëm se kishin urdhër. Megjithatë ne ruajtëm qetësinë, pasi duhet të mendojmë për takimin e kthimit. Ishte një trajtim që nuk e meriton një ekip futbolli.”
Te Skënderbeu duan të përqendrohen te përballja e së enjtes që vlen grupet e Europa League. Trajneri Ilir Daja nuk kërkon që të mendohet se kualifikimi është i sigurt pas barazimit 1 – 1 në fushë kundërshtare, pasi janë edhe 90 minuta të tjera.
Luajtëm si të barabartë në Zagreb, por takimi nis nga 0 – 0 në Elbasan. Shpresojmë që të kualifikohemi.
Ekipi do të përgatitet në Korçë gjatë këtyre ditëve, ndërsa ndeshja me Dinamo Zagreb do të luhet të enjten në orën 20:00 në “Elbasan Arena”.