Aktualitet

Skandali i trafikut të arabëve, pezullohet drejtoresha e Kufirit në Tiranë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:42 - 03/06/20 |
Al Do

Drejtoresha e Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë, Enkeleda Toska dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni janë pezulluar nga detyra pas publikimit të skandalit për trafikun e emigrantëve nga vendet arabe të lindjes përmes Shqipërisë në Perëndim.

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story” u denoncua rasti i një rrjeti trafiku që kryehej përmes Shqipërisë nga vendet arabe në Perëndim. Një nga emigrantët e intervistuar pranoi se Sami Toska ishte një nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm ku përmes kompanive fantazëm, emigrantët silleshin në Shqipëri dhe më pas i krijohej një mundësi për kalimin e kufirit për në vendet e BE.

Sami Toska është bashkëshorti i Enkeleda Toskës dhe dyshohet se kjo e fundit ka favorizuar skemën e trafikut duke shfrytëzuar detyrën e saj.

Bashkë me të janë pezulluar edhe shefa seksioni në Drejtorinë e Policisë Kufitare, Altin Hasani, Besnik Zela, Albana Metko dhe Adelina Lita e cila kishte pozicionin e specialistes.

Enkelejda Toska mbante detyrën e drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë që prej muajit shkurt të vitit 2018. Emri i saj është përfolur edhe për rastin e deportimit në Turqi të shtetasit Harun Çelik pasi ajo ka firmosur shkresën për dëbimin e tij. Ky rast ka hapur një sërë problematikash për shtetin shqiptar pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur një grup pune për të hetuar atë që dyshohet të jetë një dëbim i pa ligjshëm nga ana e Shqipërisë ç’ka do të nënkuptonte shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Në atë kohë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se vendimi i dëbimit është marrë nga drejtoria përkatëse e emigracionit, e cila drejtohej nga Enkeleda Toska. /Opinion.al

Pas