Departamenti në universitetin publik të Gjirokastrës u bën jehonë miteve dhe ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë. Bëhet fjalë për një dokumentar të realizuar në tetor nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës, me titull: “Heronjtë luftojnë… si grekë”.
I gjithë materiali është në gjuhën greke dhe “hedh dritë” mbi mitologjinë, vendet antike në Shqipëri që kanë përcaktime sipas tij, me burim gjuhën helene e deri te marrëveshjet mes dy qeverive, shqiptare dhe asaj greke, për varrezat e ushtarëve grekë.
Përderisa materiali është punuar në gjuhën greke dhe është hedhur për t’u ndjekur nga kanale të shtetit fqinj në youtube, nuk do të kishte ndonjë habi të madhe nëse për autor do të ishte ndonjë individ apo grup ekstremist.
Por në këtë mes mund të bëhet fjalë për një skandal, për shkak se i gjithë dokumentari, ashtu siç përmendet edhe në pjesën përshkruese të videos, është i përgatitur nga një prej departamenteve të Universitetit Shtetëror të Gjirokastrës. Ndërsa për xhirimin e tij janë shfrytëzuar mjetet e TVSHsë, dega Gjirokastër. /panorama/