Në mars të vitit 2014, drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu drejtua me një shkresë të klasifikuar ‘sekret’ Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese për të hetuar një numër rafinerish të vogla që dyshoheshin se prodhonin dhe tregtonin naftë kontrabandë të një cilësie të dobët.
Tatimet kërkonin ndërhyrjen e policisë për të ushtruar kontroll në disa ‘mini-rafineri’ në Kuçovë, Fier dhe Lushnje, pasi kishte informacione se prej tyre dilnin tonelata naftë e ndotur, e cila përpos dëmit që shkaktonte te automjetet e qytetarëve, po shmangte gjithashtu miliona lekë taksa, duke krijuar një gropë në buxhetin e shtetit.
Një ish-zyrtar i lartë i Tatimeve i tha BIRN se “asnjëherë nuk mësuan se çfarë u bë me fatin e asaj shkrese, por informacionet flisnin për biznesmenë të lidhur me pushtetin, që kishin në duar këto minirafineri”.
E kontatuar nga BIRN, Ministria e Brendshme nuk dha shpjegime lidhur me veprimet që u kryen pas kërkesës së ardhur nga Drejtoria e Tatimeve dhe nëse pati rezultate konkrete pas verifikimit të dyshimeve të ngrituara.
Megjithatë, dy vjet pas kërkesës, të dhënat e mbledhura nga Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial, kompania koncesionare e markimit të karburanteve, GFI Albania dhe Crown Agents – ish konsulenti britanik i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave; tregojnë që në Shqipëri vazhdon të tregtohet naftë e cilësisë së dobët, e cila shpesh përzihet me atë të importit.
I kontaktuar nga BIRN, kreu i Shoqatës Shqiptare të Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, pranoi që rafineritë vendase mbeten burimi kryesore i prishjes së cilësisë së naftës në treg.
“Nafta shqiptare është e destinuar për prodhimin e solarit dhe bitumit,” tha Aliaj. “Asnjë rafineri nuk disponon teknologjinë e duhur për të prodhuar naftë që mund të tregtohet,” shtoi ai.
Rafineri të vogla, dëme të mëdha
Sipas ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit, si dhe disa vendimeve të Këshillit të Ministrave mbi cilësinë e lëndëve djegëse, Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial, ISHTI, është institucioni përgjegjës “për kontrollin dhe respektimin e standarteve apo rregullave shtetërore për cilësinë enaftës dhe nënprodukteve të saj”.
Cilësia e benzinës dhe gazoilit që tregtohet në tregun shqiptar përcaktohet sipas direktivave të Bashkimit Europian, të cilat vendosin limite mbi karakteristikat e tyre, në mënyrë që të kontrollohet çlirimi i gazrave në atmosferë nga mjetet e transportit.
Specifikimet e marra në konsideratë nga ISHTI kanë të bëjnë si me përbërjen e karburanteve ashtu edhe me efikasitetin e tyre.
Standardi për benzinën që tregtohet në Shqipëri përcakton limite për përmbajtjen e benzenit, olefinave dhe përmbajtjen e squfurit. Në gazoil, krahas përmbajtjes së squfurit, kufizim është vendosur edhe për hidrokarburet policiklikaromatik.
Gjatë vitit 2015, ISHTI ka kryer qindra kontrolle në impiantet që ushtrojnë veprimtari në fushën e hidrokarbureve.
Sipas Inspektoriatit, gjatë vitit që shkoi janë marrë 2047 mostra benzine, nga të cilat 1906 në tregun e brendshëm dhe 141 në pikat hyrëse doganore. Përmbajtja e squfurit është tejkaluar në 8 raste, ndërsa numri i oktanit në dy raste dhe përmbajtja e oksigjenit në tre raste.
Në të njëjtin vit janë marrë 2816 mostra gazoil, nga të cilat 2499 në tregun e brendshëm dhe 317 në pikat hyrëse doganore. Përmbajtja e squfurit është tejkaluar në 141 raste ose në 5.6% të rasteve , pika e flakërimit në 140 raste , numri i cetanit në 15 raste, esteret e acideve yndyrore në 7 raste .
Në 2015 ISHTI ka monitoruar dhe lëndët djegëse që shiten në treg. Janë marë 59 mostra nga të cilat 28 në pikat hyrëse doganore dhe përmbajtja e squfurit është tejkaluar në 9 raste.
“Nga 5920 mostra të testuara në vitin 2015 janë gjetur jashtë specifikimeve të tolerancës për një ose më shumë parametra 306 mostra ose në 5.1% e rasteve,” i tha ISHTI BIRN.
“Arsyet kryesore të shkeljeve të cilësisë në treg kanë ardhur kryesisht nga prodhimi vendas, rafineritë e përpunimit të naftës në Ballsh dhe Fier , minirafineritë dhe impiantet e riciklimit,” shtoi Inspektoriati.
Një ish zyrtar i lartë i Ministrisë së Ekonomisë, i cili foli nën kushtet e anonimatit, i tha BIRN që rafineritë e vogla përbëjnë burimin më të madh të naftës jashtë standardeve që hidhet në treg.
“Të gjitha këto janë rafineri bitumi, prodhojnë 70% bitum dhe 30% naftë D2, e cila duhet të përdoret për lëndë djegëse, por në fakt shitet në karburante dhe përzihet me diesel 10 ppm. Kjo e ndot naftën që në përdorim,” tha ai.
“Kjo punë ka ndodhur në kohën e PD-së, ndodh edhe sot e gjithë ditën,” shtoi zyrtari.
Importi “Duty Free”
Për më shumë se dy vjet, nga dhjetori i vitit 2013 e deri në shkurt të vitit 2016, kompania Britanike Crown Agents shërbeu si konsulente e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Një nga fushat kryesore të veprimtarisë së Crown Agents ishte dhe forcimi i kontrolleve për mallrat e akcizës.
Një prej rekomandimeve të Crown Agents, të implementuar nga Doganat ishte një program i përbashkët kontrolli për karburantet. Kjo përfshinte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit.
Sipas një raporti të botuar nga Crown Agents në përfundim të kontratës së saj në Shqipëri, në periudhën korrik-dhjetor 2015 u kryen një sërë kontrollesh në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve, GFI.
“Ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra,” thotë kompania britanike.
Në periudhën Janar-Mars 2015, ekspertët e Crown Agents kryen një seri kontrollesh
mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Sipas Crown Agents, vetëm në periudhën 1 janar -12 mars 2015, në Shqipëri kanë hyrë më shumë se 2 milionë litra karburant ‘duty free.’ Sipas indikatorëve të riskut të Crown Agents, ky import i lartë nga anijet e peshkimit kishte për qëllim të shmangte taksat duke e shitur karburantin në tregun e brendshëm.
Në korrik 2015, Drejtoria e Doganave nxori një udhëzim të ri, i cili i detyronte pronarët e anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free.’
“Si përfundim, pati një rënie drastike të fenomenit të furnizimit të anijeve shqiptare të peshkimit me karburant nga vende të tjera, për ta shitur më pas në Shqipëri,” shkruan Crown Agents në raportin e saj.
Markimi i karburantit
Global Fluids International, GFI Albania, është një kompani e cila sipas një kontrate koncesionare dhjetë-vjecare me qeverinë shqiptare bën ngjyrosjen e naftës që hidhet në treg. Kjo më qëllim shmangien e abuzimeve lidhur me cilësinë e naftës, shmangien e destinacionit dhe shmangien e taksave.
I kontaktuar nga BIRN, Vangjel Birbo, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i GFI Albania, vuri në dispozicion raportin e punës përgjatë viteve 2014-2015, çka dëshmon sipas tij, se gjatë kontrolleve janë konstatuar jo pak raste ku subjektet të ndryshme tregtojnë karburante me një cilësi të dobët.
I pyetur për luhatjet e numrit të kontrolleve nga muaji në muaj, Birbo tha se janë kryer deri në 350 kontrolle në muaj dhe se programi i kontrolleve, u vihet në dispozicion punonjësve vetëm në momentet e fundit, për të shmangur në këtë mënyrë ndonjë dekonspirim të tyre.
Sipas Birbos, përmes markimit të karburantit, ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë te cilësia. Ndërkaq, duke markuar çdo litër karburant, në arkën e shtetit shkojnë miliona. Ai tha më tej tha se përgjatë monitorimeve ka rezultuar se përgjatë 2014, u kap pa akcizë 18 për qind e naftës së tregtuar, ndërsa në 2015, kjo shifër ra në 12 për qind.
Presidenti i Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure, Aliaj ndonëse e ka kundërshtuar ashpër koncesionin që iu dha GFI-së për markimin e karburanteve, theksoi se nga importi nuk hyn asnjë sasi karburanti që shkel standartet e cilësisë, duke fajësuar prodhimin vendas.
/Reporter.al