Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në 27 Korrik të vitit 2021 në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Një vajzë e sapolindur ka humbur jetën pas dy ditësh, pasi gjinekologët kanë përdorur pajisjen e quajtur Forceps, për ta tërhequr bebin.
Foshnja u dëmtua në kokë, e pas dy ditësh nuk ia doli. Adelina Zeqiri, nëna e foshnjes tregon se gjatë shtatzënisë ishte ndjekur nga doktoresha Aida Hoxha dhe ecuria e saj dhe e fëmijës ka qenë pa probleme. Meqë bebi ishte mbipeshë, Adelina me mjeken kishin vendosur, që lindja të bëhej me operacion. Por të resë i nisën dhimbjet më shpejt, ndaj shkoi në maternitet.
“Në Korrik të vitit 2021 kam humbur vajzën në lindje edhe është komplet për faj të mjekëve. Në 9 muajt e shtatzënisë nuk kam pasur asnjë lloj problemi. Ndiqesha vetëm me mjeken Aida Hoxha, sa herë që ishte ajo shkoja për të bërë eko edhe në darkën në orën 5:00 të pasdites më plasin ujërat dhe nisem direkt për në maternitet. Doktoresha Aida nuk ishte në turn dhe më tha shko atje, sepse ia kam lënë porosi doktor Ervis Vates. Ai na priti atje dhe na tha që mos kini merak për çdo gjë. Futem në maternitet, doktoresha e dinte që bebi ishte goxha në peshë, unë para 3 ditësh kisha për të bërë vizitën dhe të enjten pas 3 ditësh duhet të shkoja përsëri për të lënë datën e operacionit se e kisha vendosur që do lindja me operacion. Por nuk priti puna.”
Mjekja e saj nuk ishte në turn, por delegoi Adelinën te kolegu i saj Ervis Vata. Atë ditë e reja u la pa asnjë ndërhyrje nga stafi mjekësor.
“Doktorit i thoja vazhdimisht nëse kishte folur me doktoreshë Aidën sepse nuk mund të lindja vetëm, bebi ishte goxha i madh në peshë. E vetmja përgjigje që merrja nga mjekët ishte që do të lindja me turnin tjetër. Turnin tjetër vinte doktoresha që unë ndiqesha edhe gjatë gjithë natës asnjë lloj insistimi, as mamia nuk më ndihmonte fare. Kur i thashë që a ke Zot, shkova në atë fazë që vetëm villja gjak dhe nuk kisha asnjë pikë rezistence. U thashë edhe për simulant edhe për operacion dhe më thoshin që do lindësh me turnin tjetër. Kur i thashë mamisë që a ke Zot, merr doktorin në telefon se po vdes, ka vënë dorën në tavolinë dhe më tha që po më flihet gjumë. E kishte emrin Moza.”
Të nesërmen, kur erdhi doktoresha që kishte ndjekur Adelinën, kjo e fundit ishte shumë e lodhur nga dhimbjet për të lindur vetë apo për të përballuar operacionin. Në këtë pikë, doktoresha Aida Hoxha, i bëri narkozë dhe e nxori bebin përmes Forceps-it, një pajisje metalike si lugë.
“Doktorë vinin të shumtë, vinin shikonin dhe thoshin që nuk është gati për lindje. Doktoreshën e kisha marrë 2-3 herë në telefon dhe kur erdhi në orën 7:00 të mëngjesit bënte komplet të paditurën. Më tha unë e dija se kishte lindur, ti nuk paske lindur akoma. Insistoi ajo, por ishte e pamundur derisa u mbush dhoma plot, me mjek e me mami. Filloi t’u bënte fjalë se përse më kishin lënë anë atë gjendje, sepse arrita në pikën që as nuk lindja dot vetë dhe as më futnin dot në operacion. Siç isha në kaluç më kanë bërë anestezinë. Më kanë vënë në gjumë atje dhe kanë insistuar në lindje me Forceps, që nuk është i lejueshëm nëse nuk di si ta përdorësh. Isha në gjumë vetëm kur u përmenda kishte mbaruar çdo gjë. Gocën nuk ma tregonin sepse e kishin futur në reanimacion. Nga pajisja që ata kishin përdorur fëmija ishte dëmtuar në kokë. Dëmtimi ishte i dukshëm sepse ishte e nxirë. E kam edhe një foto, që e kam kapur. Ishte 1 ditë e gjysmë në reanimacion dhe nuk reagonte fare. Mjekët nuk më thoshin asnjë, nuk më jepnin ansjë lloj shprese, më thoshin vetëm që duhet të kalojnë 48 orarshin. Asnjëri nuk mbante përgjegjësi, derisa erdhi ora që i shkëputën aparaturat fare. Mbaroi çdo gjë. Doktoresha u zhduk, nuk ishte fare në maternitet për 2 ditë.”
Pasi foshnja e sapolindur nuk ia doli, çështja u referua në Komisariatin numër 1, pasi familjarët akuzuan stafin e maternitetit për humbjen e fëmijës.
“Erdhi policia, im shoq bëri deklaratën dhe rezultoi si një mjekim i pakujdesshëm. Po bëhen 4 vjet dhe mua nuk më kanë marrë asnjë denoncim, as edhe një gjë. E kemi ndjekur me 3 avokatë dhe asnjëri nuk e ka çuar deri në fund, pasi Mjekësia Ligjore nuk e ka dorëzuar akoma akt-ekspertimin tek Prokuroria që të vazhdojë të ndiqet. Fëmijët iu bë dhe autopsia dhe rezultatin nuk e dimë, sepse unë isha akoma në maternitet me të afërmit e mi, kurse im shoq shkoi në Korçë që të bënim varrimin e vajzës. Inspektori i kishte thënë që ti vazhdo për ku je nisur sepse këtë çështje do e ndjek unë. Do i dërgoj unë në Prokurori të gjitha.”
OPGJ Sokol Çollaku kërkoi menjëherë kryerjen e autopsisë së foshnjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Materialet iu kaluan prokurorisë dhe çështja iu caktua prokurores Mirela Mërtiri, e cila u hoq nga radhët e drejtësisë nga vettingu.
Askush nuk di të thotë se pse ajo nuk kërkoi përgjigjen e autopsisë nga Mjekësia Ligjore. Së fundmi, prej gati 8 muajsh, kjo çështje i ka kaluar një prokurorit Bledar Valikaj, i cili gjithashtu nuk ka një përgjigje për autopsinë e foshnjes, 4 vjet pas fatkeqësisë./tvklan.al