SPAK ka përfunduar hetimin ndaj kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Dosja penale ndaj kryebashkiakut socialist është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK kërkon gjykimin e tij për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Shkreli u mor i pandehur për këtë vepër penale në ditët e para të tetorit, ndërsa hetimi ndaj tij nisi gjatë fushatës elektorale të përgjithshme të 11 majit, hetim i zhvilluar në gjendje të lirë për zyrtarin vendor.
Pak ditë pas zgjedhjeve, agjentët e BKH i sekuestruan atij aparatin telefonik celular, pas dyshimeve të përfshirjes së tij në krime zgjedhore.
Sipas burimeve pranë SPAK, Shkrepi është përgjuar në komunikime telefonike tek kërkonte vota në këmbim të dy investimeve publikë, një rikonstruksion rruge në një zonë rurale dhe rregullimi i një linje energjie elektrike.
Kryebashkiaku i zgjedhur si kandidat i PS në vitin 2023. Gjatë fushatës zgjedhore të majit 2025 ai u vu në qendër të kritikave, pas një komenti drejt tij nga kryeministri Edi Rama, që i tha “Kristian, mos luaj me dy porta, Kristian”, pas dyshimeve se po bënte fushatë për PSD-në e Tom Doshit dhe jo për PS.

















