Vijon monitorimi intensiv nga Policia Detare dhe Policia Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.
Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.
Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.
“14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.
Nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese. “Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit”, thuhet në njoftimin e policisë.