-Shëndeti

Si zbulohet kanceri i gjirit? Çfarë duhet të bëni që ta kapni atë herët


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:44 - 25/10/18 |
b.f

Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si:

Vetëkontrolli mujor i gjirit
Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
Mamografia
Eko e gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me rradhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

Ekzaminimi klinik i gjirit

Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

Mamografia

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit.

Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh. Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin.

Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.

Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë./ISHP

Pas