Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Si u shpall Pavarësia e Shqipërisë?

2016/11/28 at 8:25 AM
në Komente, Kryesore, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Si u shpall Pavarësia e Shqipërisë?

Nga Blendi Fevziu-


Kuvendi u hap në datë 28 nëntor 1912, në sarajet e Xhemil Bej Vlorës.

“ishte e enjte, ora 4 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil beut, në një sallon të madh.”

Mit’hat Frashëri në kujtimet e tij jep edhe një hollësi që tregon organizimin e brendshëm të sallës:
“Salla e madhe në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës ishte mbushur plot dhe delegatët kishin zënë vendet rreth tri tryezave të mëdha të vëna afër e afër. Këtë ditë, pra ora 14.30, me zë të përgjithshëm u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishin mbledhur delegatët”.

Dhimitër Zografi, kujton edhe ai nga ana e tij:
“U ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë dhe të vojturat dhe gjendjen e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s`ka përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin.

“Rroftë Shqipëria jonë”, thrritnë të gjithë. “Rroftë flamuri i Shqipërisë”. Salloni ishte plot me njerëz, çardhaku përposh plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me mizëri njerëz, edhe kur u përhap të thirrurit “Rroftë” dhe të përpjekurat e duarve, i ngjetheshin mishrat njërit”

Kuvendi filloi me një fjalë hapjeje të Ismail Qemalit dhe me mandatet e delegatëve. Sali Xhuka bëri vërtetimin e tyre dhe gjeti se nga 84 delegatë të zgjedhur, 43 prej tyre kishin arritur në kohë dhe ndodheshin në dhomë. Ai lexoi telegramet e disa qyteteve të rrethuara si Korça dhe Shkodra, që në pamundësi të dërgonin delegatë, kishin mandatuar të flisnin dhe të vendosnin në emër të tyre disa nga delegatët që ishin aty. Ismail Qemali, u zgjodh njëzëri Kryetar i Kuvendit.

Procesverbali i botuar nga Lef Nosi shumë vite më vonë, rrëfen se Ismail Qemali ka folur disi më gjatë, ndër të tjera, ai është shprehur:

“Shqiptarët, ndonëse besnikë përherë tek Mbretëria Othomane, nuk e kanë harruar kurrë, as gjuhën dhe as kombësinë e tyne… Qeveria Othomane nuk e vështroi kurrë inderreshtin e saj. E nuk deshi kurrë tua shpërblenjë me të mirë shqipëtarëvet shërbimet e mëdha që i baanë. Në këtë kohë të fundit rrefeu ndopakë dëshirin që të mirëj vesht me kombin t’ënë, por prap nuk vuni të gjithë vullnetin e mirë e nuk mori të gjitha masat e nevojëshme për të paqësuar e për të kënaqur shqipëtarët…”

Në fund, ai propozoi:
“Të bahet Shqipëria më vehte, nën një qeverrië të përkohshme; të sgjidhet një pleqësië për ndihmë e kontroll të qeveriës; të dërgohet një komision në evropë për të mprojtun çashtjen shqiptare përpara mbretëriëvet të mbëdha”.

Delegatët pranuan të gjithë dhe filluan të duartrokasin. Luigj Gurakuqi u zgjodh shkruajtës i parë për të mbajtur edhe procesverbalin e mbledhjes, që padashje, shërbeu edhe si deklaratë e pavarësisë.
“Pas fjalëve që tha z.Ismail Qemali beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delagatët në një za, vendosën që Shqipëria të bëhet më vete, e lirë dhe e mosvarme!”
Më poshtë, teksti është shkruajtur edhe në osmanisht me këtë përmbajtje:
“Pasi u përmendën prej Ismail Qemal beut kryetarit të komisionit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet sot Shqipëria, kongresistët me një zë pranuan indipendencën dhe e shpallën Shqipërinë shtet indipendent e të lirë!”

Pas tij vijojnë nënshkrimet e 40 personave. Dokumentin e firmosën vetëm delegatët e ditës së parë. Nuk dihet se përse ndodhi kjo dhe përse delegatët e ditëve të mëpasme nuk nënshkruan në të. Sepse në procesverbalin e mbledhjes së kuvendit të datës 30 nëntor thuhet:

“Si u këndua e u pëlqye Proçes-Verbali i mbledhjes së përparshme, shkronjësi Z. Gurakuqi kërkoi që të mos nënshkruhet ditë për ditë po të lihen të gjitha për në funt; në këtë mënyrë edhe delegatët e ri që erdhën e ata që do të vinë përpara se të mbarohet Kuvendi do të mund të shënojnë emnin e tyne nën këto shkresa të përkujtimshme.”

Për fatin tonë të keq, deklarata e pavarësisë ashtu si edhe flamuri që u ngrit pak minuta më vonë, nuk janë ruajtur më. Historia e tyre është e paqartë.

Deklarata e pavarësisë, u mor nga Lef Nosi i cili e ruante në koleksionin e tij privat. Prej andej e nxorri në nëntor 1937, kur e shumfishoi duke i bërë disa rregullime (Firmat në pjesën e pasme të letrës u montuan në balloren e saj poshtë). Origjinali u fut sërish në arkivin e tij dhe askush s’di të thotë se ku ndodhet. Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist më 1945 dhe pasuria e tij u konfiskua. Në një procesverbal të Sigurimit të Shtetit që ka hapur dy kaseta me materiale që ai kish në bankën e shtetit lihet të kuptohet se ato qenë dokumenta historike, por nuk thuhet se çfarë. Një fotografi e origjinalit u zbulua papritur në pranverën e vitit 2012 në Arkivin Qëndror të Shtetit. Fotografia të lejon të kuptosh se letra e procesverbalit, ose deklarata e Pavarësisë shqiptare ka qenë një letër blloku shënimesh, me vija, me firmat të vendosura në pjesën e parë, nën teksin dhe në anën e pasme të saj. Dikush e ka palosur në katërsh për ta futur në xhep dhe në foton e origjinalit, të gjitha këto shenja dallohen qartë.

Pas thuajse 3 orësh diskutimesh, diku rreth orës 17 – 17.30 delegatët dolën për të ngritur flamurin e pavarësisë në taracën e portës së shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Ismail Qemali që mbantë flamurin në dorë, ja zgjati Murat Toptanit, ndër më të rinjtë aty, që ta vendoste mbi pullazin e portës së shtëpisë, ndërsa vetë shihte nga dritarja. Pullazi ishte i lartë dhe në mungesë të një Ballkoni, ai ishte vendi më i mirë për ta bërë flamurin të dukshëm nga të gjithë.

Historia e falmurit shqiptar dhe atij të Vlorës është po kaq kaotike.  Flamuri qe zbuluar dhe botuar së pari nga Faik Konica në Revistën Albania. Sipas përshkrimit të Marin Barletit tek “Historia e Skënderbeut”, ai kish porositur një piktor francez që ta vizatonte atë. Konica e botoi flamurin në faqen e parë të gazetës dhe që nga ai numër, e quajti atë: Flamuri i Shqiptarëve. Në një farë mënyrë, wshtw Faik Konica ai qw e imponoi atë si Flamuri Kombëtar, simboli që i përfaqëson shqiptarët ende. Shumica e shqiptarëve nuk e njihnin atë, siç dëshmon ky shkrim i gazetës “Liri e Shqipërisë”, Nr. 63 që flet për ngritjen e flamurit në Durrës më 26 nëntor 1912:

“…Nji nga shqyptarët e ktushëm u thirr të bajë flamurin tonë, e gatoj nji flamur të kuq me shqipen e zezë dy krenësh, nji lloj si e shtypte “Albania” në krye të faqes së sajë, por ky mundim vojti më kot, nga se krenët tonë e ma tepër myslimanët, si për herë, edhe kët radhë qitne bishta, tuj thanë se me dy krena e ka Nemcja, Rusija etj e na shqyptarët duhet të ndryshojmë nga kta t’a bajmë me nji krye… Çë bane? Ndreqne nji flamur të kuq, por me nji zog të zi në përngjasim të korbit, me nji krye, bamun kaq keq, sa shqyptarve të vërtetë u erdhi marre, dhe tradhëtarve gëzim dhe s’pushojshin tue e qestisë…”

Historia e flamurit që u ngrit në Vlorë është po kaq e paqartë dhe kaotike. Miti dhe historia përzihen bashkë duke e bërë të pamundur zbulimin e së vërtetës. Një version insiston në faktin që flamuri ishte ai i kolonisë së Bukureshtit, po ai që ishte shpalosur në Hotel Kontinental gjatë takimit të Ismail Qemalit me komunitetin. Sipas këtij versioni, flamuri që zbukuruar gjatë natës midis 27 dhe 28 nëntorit nga një grua korçare e martuar në Vlorë, Marigo Pozio.

Versioni tjetër rrëfen se flamuri u qëndis gjatë gjithë natës nga Marigo Posio sipas një skice të sjellë nga një prej delegatëve. Ky version ka qenë edhe ai zyrtar për shumë vite në Shqipëri.

Petro Poga, një prej pjesëmarrësve në kuvend, në kujtimet e tij të botuara në vitin 1936 shprehet:
“Flamuri që është ngritur në Vlorë ka qenë një pëlhurë e kuqe, 3 metro e gjatë dhe 2 metra e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja me bojë të zezë. Pëlhyra e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qep tek një rrobaqepës i quajtur Thoma”

Por në vitin 2000 me botimin e kujtimeve të Eqrem bej Vlorës u shtua edhe një version i ri.
“E pra me 28 nendor kryeobjekti i dites flamuri. Me ate pakujdesine tipike shqiptaro-lindore ishte harruar.

Per me teper shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush me perpara as e kish pare as e kish mbajtur. Shtet- formuesit ranë ne hall dhe veshtruan njeri tjetrin te hutuar. Atehere ngrihet miku im Hydai Efendiu dhe thote se ne dhomen e gjumit te Eqerem Beut varet ne mur nje flamur shqiptar. Smail Beu i dha leje dhe keshtu flamuri qe dikur Don Aladro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht ne Paris ra ne duart e ismail Beut i cili ia dorezoi Murat Bej Toptanit me porosi t’ia varte jashte nderkohe qe vete qendronte prane ne dritare”.

Një foto që paraqet Ismail Qemalin dhe qeverinë e tij në ballkon me flamur në dorë, është marrë ose është paraqitur gabimisht si fotoja e Pavarësisë së Shqipërisë për shumë vite me rradhë. Ajo foto e bërë nga Petro fotografi, ose Petro shqiptari, në selinë e Qeverisë së përkohshme të Vlorës (Ku Ismail Qemali u vendos në fund të Marsit 1913), i takon festimeve për 1 vjetorin e pavarësisë më 28 nëntor 1913. Nuk ka asnjë lidhje me ditën e shënuar të shpalljes së pavarësisë edhe pse thuajse të gjithë protagonistët janë po ata.
Pas nënshkrimeve, Kuvendi vendosi ngritjen e një qeverie provizore që do të administronte vendin dhe zgjodhi si Kryetar të saj Ismail bej Qemalin. Dom Nikollë Kacorri do të ishte zëvendësi i tij. Ismail Qemali u bë Kryeministri i parë i Shtetit Shqiptar.

Në orën 20.00 të mbrëmjes, në drejtim të Elbasanit dhe më pas Tiranës dhe gjithë qyteteve të Shqipërisë u nis ky telegram:

“Kongresi u hap. indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u zgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet shteteve të mëdha me kabllo. Ju urojmë”

Pak minuta më vonë, kreu i qeverisë i diktoi Qemal Karaosmanit këtë telegram që u përhap në gjithë Shqipërinë:

“Sot u hap kongresi i përbamun prej përfaqësuesvet të gjithë Shqipniës dhe vendosi proklamimin e indipendencës së Shqipnies dhe formimin e Qeveriës së Përkohshme. Kryesia e Qeveriës dhe formimi i këshillit m’u ngarkue mue. Lutem e shpallni në qendrat e në për ndënprefekturat dhe ua komunikoni zyrtarisht konsujve t’atyshëm, tua na bamë me ditë edhe neve.

Qendravet

Deklarata e shkrume poshtë, të përkthehet shqip dhe të njitet në për muret n’emën të Qeverriës së Përkohshme, shkrue me nj’anë në turqisht e më tjetër anë shqip. Veç kësaj duhet që edhe me mjetet të tjera të pëlqyeshme t’i komunikohet e t’i njoftohet gjithë popullit.
Ismail Qemal”

Ishte dokumenti i parë i Shtetit shqiptar dhe fimra e parë e një Kryeministri të Shqipërisë!
Një orë më vonë, Ismail Qemali nënshkroi një tjetër telegram drejtuar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, por për dijeni edhe Qeverive të Romës, Vienës, Parisit, Berlinit, Petrogradit, në të cilin njoftohej se kuvendi kombëtar në vlorë, me përfaqësues nga gjithë krahinat dhe besimet fetare në vend, shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Kërkesa për njohjen e shtetit të ri, shoqërohej edhe nga një paragraf që fliste për traditën Europiane të Shqiptarëve.

Mënjëherë pas tyre, ai nënshkroi një tjetër telegram që u nis nga zyra e telegrafit Vlorë në drejtim të Cetinjës, Beogradit, Sofjes dhe Athinës. Veç njoftimit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali ju kërkonte qeverive:

“çdo veprim hostiliteti nga ana e ushtërivet tuaja mbrenda në truell kombëtar të tyne, ka me pushue së vepruemi dhe se gjithë viset thjeshtë shqiptare të pushtueme sot prej ushtërivet të aleatvet kanë me u lëshue prap”!

Ai i firmosi të dy telegramet si dhe disa dhjetra që u nisën atë natë deri në agim, me titullin:
Ismail Qemali, Kryetar i Qeverisë së Përkohshme!

Blendi Fevziu

(Marre nga libri “100 vjet”)

Etiketa: 28 nentoriismail qemaliPavaresia e Shqiperiseqeveria e perkohshme.vlora


Ju sugjerojmë

Izraeli vret nëntë nga dhjetë fëmijët e një doktoreshe në Gaza
Bota

Izraeli vret nëntë nga dhjetë fëmijët e një doktoreshe në Gaza

24 Maj, 2025 10:46 pm
La gjurmë në kinematografinë shqiptare, kush ishte Piro Milkani ?
Aktualitet

La gjurmë në kinematografinë shqiptare, kush ishte Piro Milkani ?

24 Maj, 2025 10:30 pm
Mësim dhe argëtim në spital, 2 klasa multidisiplinare në QSUT
Aktualitet

Mësim dhe argëtim në spital, 2 klasa multidisiplinare në QSUT

24 Maj, 2025 10:10 pm
Shuhet në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur Piro Milkani
Aktualitet

Shuhet në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur Piro Milkani

24 Maj, 2025 9:56 pm
Dita e dytë e këmbimit të burgosurve, Rusia dhe Ukraina këmbejnë qindra ushtarë
Bota

Dita e dytë e këmbimit të burgosurve, Rusia dhe Ukraina këmbejnë qindra ushtarë

24 Maj, 2025 9:41 pm
Dilema e maturantëve, drejt pasionit apo tregut të punës?
Aktualitet

Dilema e maturantëve, drejt pasionit apo tregut të punës?

24 Maj, 2025 9:17 pm
Probleme në Festivalin e Filmit në Kanë, ndërpritet qëllimisht energjia elektrike
Bota

Probleme në Festivalin e Filmit në Kanë, ndërpritet qëllimisht energjia elektrike

24 Maj, 2025 8:57 pm
Ulqinakët presin që miliarderi arab Alabar të tërhiqet nga marrëveshja për plazhet
Rajoni

Ulqinakët presin që miliarderi arab Alabar të tërhiqet nga marrëveshja për plazhet

24 Maj, 2025 8:40 pm
Euro U-17/ Grupi A, Shqipëria sfidon Francën në ndeshjen e fundit
Sport

Euro U-17/ Grupi A, Shqipëria sfidon Francën në ndeshjen e fundit

24 Maj, 2025 8:16 pm
Ndërprerje masive të platformës sociale X, mijëra përdorues raportuan probleme
Bota

Ndërprerje masive të platformës sociale X, mijëra përdorues raportuan probleme

24 Maj, 2025 8:01 pm
Para
Gropa e vdekjes në Vlorë, arrestohen dy inxhinierët e firmës

Gropa e vdekjes në Vlorë, arrestohen dy inxhinierët e firmës

Barcelona-Real Sociedad 1-1/ Tërbimi i Pique: “Kështu nuk do ta fitojmë dot titullin”

Barcelona-Real Sociedad 1-1/ Tërbimi i Pique: "Kështu nuk do ta fitojmë dot titullin"

Video/ Remzi Maloku kujton: Si qepëm në ilegalitet 200 flamuj Kuqezi

Video/ Remzi Maloku kujton: Si qepëm në ilegalitet 200 flamuj Kuqezi
















TE FUNDIT

Izraeli vret nëntë nga dhjetë fëmijët e një doktoreshe në Gaza

Izraeli vret nëntë nga dhjetë fëmijët e një doktoreshe në Gaza
24 Maj, 2025

Një sulm ajror izraelit në Gaza goditi shtëpinë e një mjeke dhe vrau nëntë nga 10 fëmijët e saj, thotë...

Lexo më shumë

La gjurmë në kinematografinë shqiptare, kush ishte Piro Milkani ?

La gjurmë në kinematografinë shqiptare, kush ishte Piro Milkani ?
24 Maj, 2025

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani, një prej emrave më të rëndësishëm të...

Lexo më shumë

Mësim dhe argëtim në spital, 2 klasa multidisiplinare në QSUT

Mësim dhe argëtim në spital, 2 klasa multidisiplinare në QSUT
24 Maj, 2025

Ky fëmijë vetëm 7 vjeç, për shkak të problemeve shëndetësore duhet të ndjekë terapinë kuruese pranë Pediatrisë së QSUT, duke...

Lexo më shumë

Shuhet në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur Piro Milkani

Shuhet në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur Piro Milkani
24 Maj, 2025

Regjisori i njohur Piro Milkani, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeç. Lajmi i hidhur është konfirmuar nga i biri...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com