Kronikë

Si u ra në gjurmët e Eduart Lamajt, alibia e tij dhe pikëpyetja e vrasjes


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:47 - 23/06/20 |
Al Do

Personi në foton e mëposhtme është Eduart Lamaj i njohur edhe me emrin Leandro Simoni. Në këtë pamje ai është duke u trajtuar për një plagosje e cila sipas mjekëve ka ndodhur rreth 20 ditë më parë.

Eduart Lamaj është i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në mbrëmjen e 30 Majit në Kurbin në hotelin e Ali Allamanit. Dyshimet ndaj tij kanë qenë që në ditët e para pas ngjarjes.

Agjentët e policisë së Lezhës e kanë mbajtur nën vëzhgim dhe kanë monitoruar lëvizjet e familjarëve të 30-vjeçarit Lamaj. Gjatë atentatit një person ishte plagosur dhe kishte lënë njolla gjaku në vendngjarje. Pikërisht analiza e ADN-së së tyre kishte bërë që policia ta mbante atë në vëzhgim.

Oficerët e krimeve vunë re se Eduart Lamaj paraqitej rregullisht në një klinikë private në Tiranë për të mjekuar plagën gjatë sulmit me armë. Në momentin e ekzekutimit Bujar Lika u kundërpërgjigj me zjarr ndaj atentatorëve dhe la Lamajn të plagosur.

30-vjeçari nuk ishte paraqitur për ta mjekuar plagën por ishte detyruar pas 20 ditësh ta bënte pasi ajo ishte infektuar dhe rrezikonte ti merrte jetën.

Mbrëmjen e së hënës policia vendosi të ndërhyjë. Nën operacionin e koduar “klinika”, ata bënë të mundur arrestimin e 30-vjeçarit dhe të dy mjekëve të cilët mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë. Mjekët Viktor Marku 42 vjeç dhe Besim Lama 46 vjeç akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ata nuk kishin njoftuar policinë që po trajtonin një person të plagosur me armë zjarri.

Në njoftimin që policia dha pas përfundimit të operacionit thuhet se vrasja është zbardhur dhe se janë identifikuar dhe 3 bashkëpunëtorët Eduart Lamajt. Ata janë shpallur në kërkim, por për shkak të hetimeve që janë në zhvillim, policia nuk bën me dije të tjera detaje.

I arrestuar për këtë ngjarje ishte dhe Kreshnik Tusha. 21-vjeçari ishte paraqitur në spital bashkë me Paulin Gjergjin pasi ky i fundit nuk ndërroi jetë menjëherë pas atentatit. Në dinamikën e ngjarjes fillimisht u zbulua që kishte patur edhe një të plagosur dhe dyshimet kryesore ranë mbi Tushën.

Megjithatë ai qëlloi që të ishte në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Mësohet se Kreshnik Tusha mbeti i plagosur jashtë hotelit, në afërsi të banesës së tij, nga grupi i atentatorëve pasi ata dyshuan se ai kishte dalë për t’u bërë pritë.

Në media është raportuar se Lamaj ka mohuar se ka hyrë në lokal për të vrarë Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin. Në fakt ai rezulton të jetë komshi me pronarin e hotelit ku ndodhi ngjarja, Ali Allamani. Ky i fundit rezulton të jetë duke vuajtur një dënim jashtë shtetit.

“Nuk vajta për t’i vrarë. Shkova për t’i shkatërruar hotelin, për shkak të një borxhi që më kishte pronari i tij. U këndërpërgjigja me armë pasi ata nisën të qëllonin dhe mendova se do më vrisnin.” është kjo alibia e ngritur prej të arrestuarit Lamaj.

Por grupi hetimor e ka  hedhur poshtë atë duke u bazuar në veshjen që kishte përdorur ai dhe 3  personat e tjerë. Sipas hetimeve ata ishin veshur si efektivë të forcave speciale dhe kjo i ka lënë të kuptojë hetuesve se kemi të bëjmë me një atentat të mirë strukturuar.

Ajo që mbetet ende për tu sqaruar është se kush ishte objektivi i atentatorëve, Bujar Lika, i njohur si mik i ngushtë i Ervis Martinajt apo Paulin Gjergji, biznesmeni që njihej për lidhjet e forta me dhomat e biznesit në Maltë. /Opinion.al

Pas