Sot, bota është shumë e ndryshme, nga ajo që mund ta ketë imagjinuar shumëkush, në fund të shekullit tëkaluar, një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit. Historikisht, 15 vite mund të duket një kohë e gjatë ose e shkurtër, në varësi të intensitetit të ndryshimeve. Gjatë 15 viteve të fundit, me rritje të konkurrencës mes fuqive të mëdha dhe rikthimit të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme – duke përfshirë Pranverën Arabe, ngjitjen e Shtetit Islamik dhe brutalitetit të tij, luftërat mes shiitëve dhe sunitëve dhe vuajtjet e parrëfyeshme njerëzore – ndryshimi ka qenë shumë i madh, për të thënë më të paktën
Sot, konkurrenca mes fuqive të mëdha është një fakt: Shtetet e Bashkuara tani konkurrojnë me një Rusi gjithmonë e më aktive dhe një Kinë në rritje. Lindja e Mesme, Deti i Kinës Jugore dhe Ukraina janë vetëm tre teatro ku po luhet ky realitet.
Pasi rilexova librin e ish zëvendës sekretarit të Shtetit të SHBA, Strobe Talbott, “Eksperimenti i Madh”, mbeta me përshtypjen se farat për disa prej dinamikave të sotme, janë hedhur kohë më parë. Libri përshkruan një bashkëbisedim që ka ndodhur në dhjetor 2000, mes presidentit Bill Klinton dhe presidentit të sapozgjedhur, Xhorxh Bush. Klintoni thotë që, duke gjykuar nga fushata elektorale e Bushit, cështjet e sigurisë që dukej se e shqetësonin atë më shumë ishin Sadam Huseini dhe ndërtimi i sistemeve mbrojtëse antiraketë. “Kjo është absolutisht e vërtetë”, përgjigjet Bushi.
Këto cështje u lanë pezull, kur tragjedia goditi krejt papritur, në 11 shtator 2001. Ata sulme terroriste sollën një periudhë bashkëpunimi ndërkombëtar, gjatë të cilës mbretëroi solidariteti kundër terrorizmit. Ishte një kohë kur ne të gjithë ishim amerikanë, dhe kur Bushi e përshkruajti Putinin si “një njeri shumë të drejtpërdrejtë dhe të besueshëm”.
Erërat nisën të ndryshojnë atë dhjetor, kur SHBA shpalli se do të tërhiqej nga Traktati i Raketave Antibalistike, me qëllim që të ndërtonte një sistem mbrojtjeje antiraketore për t’u mbrojtur nga një Iran potencialisht bërthamor. Kjo nuk kaloi pa u vënë re prej Rusisë.
Në atë kohë, SHBA duket se nuk e kuptonte që po lindte një rend botëror shumëpolar – një rend që do ta bënte shumë të vështirë të ndiqeshin, pa pasoja serioze, politikat që Bushi dhe Klintoni kishin diskutuar në vitin 2000. Në një fjalim të vitit 2007 në Konferencën për Sigurinë në Mynih, presidenti rus, Vladimir Putin e bëri të qartë, duke kundërshtuar vendosmërisht ndërhyrjen në Irak dhe sidomos planet e SHBA për të zgjeruar sistemet e mbrojtjes antiraketore në Europë, duke e quajtur këtë një akt agresioni kundër Rusisë, dhe një shkelje të sigurisë së përbashkët europiane.
Në verën e vitit 2008, tre ngjarje e nxorrën “sheshit” rendin e ri shumëpolar. Kina magjepsi botën si organizatore e Lojërave Olimpike, duke përforcuar kështu statusin e saj si një aktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Veprimet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji – në mesin e Lojërave Olimpike – i treguan botës se koncepti i sferave të influencës ishte ende gjallë dhe “shëndoshë” në Kremlin. Dhe kolapsi një muaj më vonë, i bankës amerikane të investimeve, Lehman Brothers, që shkaktoi një krizë financiare globale, nga e cila ekonomia botërore ende nuk e ka rimarrë veten plotësisht, nxorri në pah dobësitë e ekonomive të përparuara, ndërkohë që kurseu Kinën.
Me një ndjesi të re vetëbesimi në statusin e saj si fuqi e madhe, Kima u duk se i dha vlerë konceptit të një “ngjitjeje paqësore”, të cilin udhëheqësit e saj e kishin lartësuar që nga epoka e Ten Hsiaopinit, duke përshtatur kështu një politikë të jashtme më “me muskuj” kundrejt fqinjëve të saj. Duke shpallur të drejta historike të pretenduara, Kina nisi të zgjerojë pretendimet e veta territoriale, bashkë me praninë e saj ushtarake, në Detet e jugut dhe lindjes së Kinës. Në vitin 2013, tensionet arritën kulmin, kur Kina shpalli në mënyrë të njëanshme një Zonë Identifikimi të Mbrojtjes Ajrore, e cila mbulonte territore në Detin e Kinës lindore, që ajo i pretendon, por që në fakt janë nën kontrollin e Japonisë.
Shumë prej vendeve të prekur nga veprimet e Kinës në Detet e jugut dhe lindjes së Kinës kanë marrëveshje sigurie me SHBA, e cila ka qenë fuqia kryesore detare në Paqësor, qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, shpallja e zonës së identifikimit nga Kina, u pa si provokim nga SHBA. Duke zgjeruar pretendimet e veta për sovranitet, Kina ishte duke zgjeruar në fakt pretendimet e veta për influencë.
Institucioneve ndërkombëtare u është dashur pak kohë për të “rrokur” këtë rend botëror në ndryshim. Samiti i G-20 në Seul, në vitin 2010, prodhoi një marrëveshje për të rritur kuotat e vendeve në zhvillim, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, deri në vitin 2014. Por Kongresi i SHBA refuzoi t’i ratifikojë ndryshimet, kështu që asgjë nuk u bë nga ajo marrëveshje.
Më pas, Kina i mori vetë gjërat në dorë, duke udhëhequr krijimin i Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë (BAII). Fragmentimi i institucioneve ndërkombëtare u duk se do të ndodhte së shpejti – domthënë, deri kur vendet europianë vendosën t’i bashkohen BAII-së. Ndonëse SHBA rezistoi fillimisht, dhe ende refuzon t’i bashohet, atij vendimi iu la pak vend, gjatë një bisede të mëvonshme mes presidentit kinez, Xi Jinping dhe presidentit amerikan, Barak Obama.
Ndërkohë, Rusia po shpërfaqte ambiciet e reja të politikës së jashtme në Ukrainë. Duke shkelur Aktin Final të Helsinkit në pranverën e vitit 2014, Putini e vendosi politikën e jashtme të Rusisë në kundërvënie të drejtpërdrejtë me atë të SHBA dhe Europës. Ky vendim u ripohua në shtator, kur Putini vendosi të ndërhyjë në konfliktin sirian, duke i siguruar kështu Rusisë një rol në përpjekjet për të sjellë paqe në atë vend.
Sot, bota është shumë e ndryshme, nga ajo që mund ta ketë imagjinuar shumëkush, në fund të shekullit tëkaluar, një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit. Historikisht, 15 vite mund të duket një kohë e gjatë ose e shkurtër, në varësi të intensitetit të ndryshimeve. Gjatë 15 viteve të fundit, me rritje të konkurrencës mes fuqive të mëdha dhe rikthimit të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme – duke përfshirë Pranverën Arabe, ngjitjen e Shtetit Islamik dhe brutalitetit të tij, luftërat mes shiitëve dhe sunitëve dhe vuajtjet e parrëfyeshme njerëzore – ndryshimi ka qenë shumë i madh, për të thënë më të paktën.
Por konfrontimi nuk rrëfen të gjithë historinë. Janë bërë hapa premtues në dy fusha me rëndësi të madhe: mospërhapjen bërthamore, sidomos përmes marrëveshjes me Iranin, dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Nëse ka një mësim që mund të nxirret nga e gjithë kjo, ai është se diplomacia këmbëngulëse dhe e mirëzbatuar ka ende një fuqi të jashtëzakonshme për të zgjidhur konfliktet. Ajo mbetet instrumenti më i mirë për të prodhuar ata rezultate bashkëpunimi, që konfrontimi i pengon.
(Vizitoni www.bota.al për më shumë analiza dhe komente nga ngjarjet ndërkombëtare)