Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur në 19 qershor të këtij viti të lerë të lirë Ardian Kirin, ish-drejtorin e ALUIZNI-t në Shkodër, i akuzuar nga prokuroria e këtij rrethi për akuzën e “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”,e kryer në bashkëpunim,“Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.
Ndryshe nga sa kishte kërkuar prokuroria e Apelit Shkodër për dënimin e Kirit me 30 vite burgim, për vrasjen e shtetasit Marjan Martini dhe tentativës për vrasje të Nik Gjonlulaj dhe djalit të tij Amarildo Gjonlulaj, gjykata e ka dënuar Kirin vetëm për akuzën e “Armë mbajtjes pa lejë” me 5 vite burgim. Por dhe nga ky dënim, ish-drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër i akuzuar për vrasje nuk mund të bëjë asnjë ditë burgim, pasi treshja e gjyqtarëve Hajrije Muxhmata,Vojsava Osmanaj dhe Luan Dervishi kanë vendosur të pezullojnë periudhën e burgimit dhe ta lenë Ardian Kirin në shërbim prove, për një periudhë 5 vjeçare.
Të vetmit që janë dënuar për këtë vrasje nga gjykata e Apelit janë shtetasit Lazër Pemaj me 26 vite burgim dhe Gjin Ndreu, të cilët edhe pse të dënuar ende nuk janë arrestuar nga policia e Shtetit.
Po kush është Ardian Kiri?
Ardian Kiri njihet si një eksponent i Partisë Socialiste në Shkodër dhe që ka pasur miqësi të ngushtë me deputetin Tom Doshi. Madje Kiri ka qenë dhe dëshmitar së bashku me të pandehurin tjetër të kësaj dosje Gjin Ndreun, të cilët përmenden në një relacion policie përcjellë prokurorisë së Tiranës, për ngritjen e çështjes kundët Tom Doshit, lidhur me demostratën e 21 janarit në kryeqytet. Por përtej dosjes së “21 janarit”, me ardhjen në pushtet të PS në 2013, Ardian Kiri falë mbështetjes politike është emëruar drejtor i ALUIZNI-t në Shkodër. Mirëpo gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë sipas prokurorisë dhe policisë Shkodër rezulton se ai është implikuar në një ngjarje të rëndë në Shkodër. Më konkretisht në datën 23 nëntor 2013, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur Gur i Zi, Shkodër, i pandehuri Ardian Kiri, Lazër Pemaj dhe Gjin Ndreu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë, disa herë, kundër shtetasit Nik Gjonlulaj, i cili po lëvizte me makinën tip Benz, me targë AA390GD, bashkë me djalin e tij Amarildo Gjonlulaj, me drejtim lëvizje nga Shkodra në drejtim të komunës Gur i Zi.
Si pasojë e breshërisë së plumbave të gjuajtura nga të pandehurit, ka vdekur shtetasi Marjan Martini,i cili po lëvizte me motorçikletë në këtë aks rrugor, pikërisht në pjesën e urës në vijim të këtij segmenti rrugor, në momentin që të pandehurit po qëllonin me armë kundër shtetasit Nik Gjonlulaj,i cili po ashtu ishte në lëvizje me mjetin e tij. Ngjarja në fjalë u provua se ka ndodhur pas një debati të ashpër që i pandehuri Ardian Kiri,i shoqëruar dhe nga dy të pandehurit Gjin Ndreu dhe Lazër Pemaj, ka pasur me të dëmtuarin Nik Gjonlulaj ditën në fjalë, në një lokal në Beltojë, ku të gjithë personat kanë qenë duke qëndruar bashkë për drekë.
Argumenti alogjik i gjykatës
I pandehuri Ardian Kiri, nëpërmjet mbrojtësit të tij, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si gjatë hetimeve paraprake, është përpjekur të provojë me anë të një sërë dëshmmitarëve se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ndodhej në vend tjetër. Nga dëshmitë e personave të pyetur gjatë gjykimit në funksion të mbrojtjes së të pandehurit Ardian Kiri, rezulton se të gjithë janë kontaktuar nga Ardian Kiri dhe babai i tij Ndre Kiri, një pjesë e tyre disa ditë pas ngjarjes, si dhe një pjesë pas momentit që kjo çështje ka ardhur për gjykim.
Nga dëshmia e këtyre personave rezulton se, edhe pse nuk kujtojnë asnjë të dhënë rreth një ditë para apo pas ngjarjes në fjalë, nuk kujtojnë datën e saktë të ngjarjes apo çfarë ditë ka qenë, pohojnë me një siguri të pabazuar në asnjë lloj prove se, ditën kur ka ndodhur ngjarja për të cilën akuzohet Ardian Kiri (dhe pse nuk e dinë se në cilën ditë ka ndodhur kjo ngjarje), pikërisht në orën kur ka ndodhur ngjarja, kanë shkuar të gjithë rastësisht në këtë lokal për të pirë dicka në lokalin e të pandehurit Ardian Kiri, kanë qëndruar aty deri rreth orës 5:30 apo më vonë dhe se gjatë kësaj kohe Ardian Kiri dhe vëllai i tij Vladimir Kiri kanë qenë në lokal, ndërsa Ardian Kiri, i ka qerasur pasi ishte bërë drejtor. Sipas prokurorisë këto dëshmi, sic rezulton nga vendimi i gjykatës së Apelit, nuk janë konsideruar të bazuara dhe si të tilla nuk janë marrë në konsideratë për të provuar alibinë e të pandehurit Ardian Kiri. Përkundrazi, sipas prokurorisë gjykata arrin në konkluzionin se i pandehuri Ardian Kiri ka qenë në vendin ku ka ndodhur ngjarja, se po ashtu ka përdorur armë luftarake, e më pas në mënyrë tërësisht alogjike me provat e marra në gjykim, konkludon se qëllimi i të pandehurit Ardian Kiri, ka qenë kanosja e shtetasit Nik Gjonlulaj dhe jo vrasja e tij dhe shtetasit Marjan Martini.
Sipas prokurorisë gjykata, edhe pse konfirmon faktin se tre të pandehurit kanë qenë në vendin e ngjarjes, dhe se dy prej tyre kanë përdorur armë, në mënyrë alogjike arrin në konkluzionin se qëllimet e tre të pandehurve në rastin në fjalë kanë qenë të ndryshme, ku qëllimi i të pandehurit Ardian Kiri, i cili rezulton të jetë personi i vetëm që ka pasur konflikt me shtetasin Nik Gjonlulaj, ka qenë kanosja e tij, ndërkohë i pandehuri Lazër Pemaj, i cili është përkrahës dhe bashkëpunëtor i të pandehurit Ardian Kiri dhe që personalisht vetë nuk ka pasur asnjë konflikt pe të dëmtuarin Nik Gjonlulaj, ka pasur si qëllim vrasjen e tij. Një arsyetim i tillë, përvecse i pabazuar në prova, është tërësisht alogjik. Ndërsa i pandehuri Gjin Ndreu, sipas gjykatës është fshehur pa arsye për katër muaj dhe ndaj duhet akuzuar vetëm për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
/Shqiptarja.com