Nga Blendi Fevziu –
Lufta e Enver Hoxhës ndaj fesë është jo vetëm mbresëlënëse për egërsinë e saj, por një ndër kapitujt më të trishtuar të regjimit të tij. Për fatin e keq, shumë historianë e kanë nënvizuar atë vetëm pas letrës së hapur të vitit 1967 dhe pas ndalimit të fesë, kur ajo në të vërtetë nisi shumë më herët. Ndëshkimet e para të klerikëve figurojnë që në vitin 1944, kur Hoxha ende nuk e kishte marrë pushtetin plotësisht. Në një letër që një oficer i lartë i Sigurimit me emrin Vaskë Koleci i çon nga Shkodra, në datën 30 janar 1945, e informon se sipas porosisë së tij:
“Në arrestimet që do të bëjmë do të prangosim tre priftërinj, për të cilët kemi bërë mjaft akuza. Kuvendin e jezuitëve do ta kontrollojmë më në funt, duke i bërë një kontroll të imët me mjaft forca. Tashti për tashti, po e mbajmë të bllokuar…”.
Ndëshkimi i Hoxhës posaçërisht ndaj klerikëve katolikë i kapërcen caqet e përfytyrimit. Ata u konsideruan en bloc bashkëpunëtorë të okupatorit dhe kundërshtarë të regjimit. Shumë u arrestuan dhe u ekzekutuan. I pari ndër ta Dom Lazër Shantoja në kohë e sipër që komunistët qenë duke ardhur në fuqi. Ekzekutimi i Shantojë u bë me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, siç dëshmon ky kabllogram i nënshkruar prej tij:
“Korpusit 3, Gjykatës Ushtarake Shkodër.
Gjegje shkresës numër 5 datë 10 fruer 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Don Lazër Shantojës dhe Sulçe Beg Bushatit. Stop. Na lajmëroni datën e ekzekutimit.
Enver Hoxha”.
Dom Lazër Shantoja u pushkatua në prani të nënës së tij plakë, siç dëshmojnë disa prej pjesëtarëve të togës së pushkatimit, të dënuar edhe ata më vonë. Aq shumë ishte torturuar trupi i tij, saqë e ëma, kur e pa në atë gjendje i kërkoi Mehmet Shehut që drejtonte hetimin e tij:
“E paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”!
Sipas dëshmive, ajo që e qëlloi ishte një femër. Edhe pse Dom Lazër Shantoja kish qenë i afërt me italianët, historia nuk mbaron këtu. At Bernardin Palaj vdiq në burg nga tetanozi që kish marrë prej telit me gjemba me të cilin i mbanin duart të lidhura ditë e natë.
Nga shqyrtimi i dokumenteve ajo që të bën përshtypje është qëndresa e pabesueshme e këtyre shërbëtorëve të Zotit. Në 12 mars të vitit 1948 mbi tryezën e Hoxhës u vu një dokument në të cilin tregohej ekzekutimi i tre priftërinjve katolikë: Imzot Frano Gjini, At Mati Prendushi dhe Dom Nikoll Deda. Dokumenti është dërguar pas kërkesës së Hoxhës dhe ka këtë përmbajtje që janë njëkohësisht edhe fjalët e tyre e fundit:
“Ju njoftojmë për dënimin me vdekje të Monsinjor Frano Gjinit, Pader Mati Prendushit, Dom Nikoll Dedës datë 11 Mars 1948 ora 5 paradite. Fjala e tyre e fundit ka qenë:
Frano Pjetër Gjini tha: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë feja katolike dhe katolikët në botë! Rroftë Papa! Gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa. Rroftë Shqipnija!”
Pater Mati Prendushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Rrofshin katolikët! Rroftë Shqypnija! U baj hallall gjyqit dhe ata që do të shtien mbi trupat tanë të pafajshëm”.
Dom Nikoll Deda tha: “Rroftë Shqipnia! Po vritem në punën time. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë populli shqiptar!”
Kleri katolik dukej i vetëdijshëm për atë që e priste. At Zef Pllumi ishte një seminarist i ri në vitin 1944. Ai e kujton kështu dënimin me vdekje të superiorit të tij At Mati Prendushit:
“Na të gjithë u përqafuem me lot ndër sy me ata që u dënuan me vdekje. Kur u përqafova me superjorin tem, At Matinë, ai më tha:
-Fra Zef, të lumtë. Të falemnderës që nuk na e korite Provincën françeskane. Duaje e mbroje gjithmonë kështu. Zoti të ruejtë e të bekoftë!
Duke shtue frazën: “O skifleri im, u pafshim në atë jetë”, ai i la edhe porosinë e fundit. Të jetoja, të jetoja “për me rrëfye” atë që Kleri katolik dhe besimi fetar po hiqte në Shqipni”.
Vetë At Zef Pllumi u arrestua dy herë, u torturua dhe bëri në tërësi 28 vjet burg. Arriti të dalë i gjallë dhe jo vetëm rihapi disa nga kishat e mbyllura në Tiranë e Shkodër, por edhe botoi kujtimet e tij prej tri vëllimesh me titullin: “Rrno vetëm për me tregue”. Ishte amaneti i mësuesit të tij dhe, kur e përmbushi këtë, kur arriti të dëshmojë gjithë kalvarin që pësoi nën regjimin komunist jo vetëm kleri, por mbarë populli shqiptar, iku nga kjo botë i nderuar prej të gjithëve. Në ceremoninë e varrimit të tij, në rreshtin e parë, qëndronin Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe funksionarë të tjerë të lartë si për të shprehur pendesën zyrtare të shtetit shqiptar për persekutimin që i ishte bërë atij dhe gjithë përfaqësuesve të katolicizmit në Shqipëri.
Ndërsa At Zef Pllumi arriti të mbijetojë, shumë të tjerë jo. Shumë prej tyre u arrestuan e u akuzuan se kishin fshehur armë nëpër kisha. Gjatë një gjykimi në vitin 1948 në Shkodër një ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, Pierin Kçira, dha këtë dëshmi:
“Me udhëzim të Zoi Themelit, me çelsa fallso, kemi hyrë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit dhe kemi fut prapa altareve dokumenta e gjëra të tjera kompromentuese. Në mëngjes kemi rrethue vendin, kemi ‘zbulue” armët dhe arrestuam shumë priftërinj françeskanë, shumë prej të cilëve janë pushkatuar”.
Pas kësaj deklarate gjyqi u mbyll, gjykimi i Kçirës u ndërpre dhe ai u pushkatua për dekonspirim.
Beteja ndaj katolikëve vijoi deri në mes të viteve ’70, kur një prej tyre, Dom Shtjefën Kurti u arrestua në vitin 1971 sepse, me kërkesën e një prindi besimtar, kishte pagëzuar në shtëpinë e tij një fëmijë të porsalindur. Njeriu që e kishte dekonspiruar dhe e kishte denoncuar në organet e Sigurimit të Shtetit ishte një i afërm i prindit që kërkoi t’i jepte djalit një emër fetar si edhe ai vetë. I ati u dënua me burg dhe e pa djalin e porsalindur kur ai ishte bërë tashmë 19 vjeç në vitin 1989. Dom Shtjefën Kurti u pushkatua, me gjasë në vitin 1973 ose 1974. Pushkatimi i priftit, për shkakun se kishte kryer profesionin të cilit i ishte betuar në jetë, ishte një nga vetëdemaskimit më të rënda për regjimin komunist. Vatikani ndërmori një fushatë demaskuese. Në një informacion të Ministrisë së Punëve Jashtme thuhet se në shumicën e vendeve demokratike diplomatët shqiptarë refuzohen të ftohen në pritje ose atyre nuk u jepet dora nga kolegët pas ekzekutimit të Don Kurtit. Vetë Gjon Pali II, menjëherë pas krijimit të tij papë, gjatë një fjalimi në Brindizi hodhi akuzat më të rënda ndaj një regjimi që ndalonte edhe besimin e njeriut te Zoti. Historia e Dom Kurtit preku rëndë Ronald Reganin. Me t’u bërë President i ShBA, ai iu referua së paku në dy raste asaj, si njërës prej historive më të trishta që kishte dëgjuar në jetë.
20 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist dhe bërjes publike të qëndresës se klerit katolik, Vatikani dërgoi në Shqipëri një emisar të tij, Frat Vincenzo Foca. Detyra e tij ishte hulumtimi i masakrave ndaj klerit dhe veçanërisht ndaj 40 klerikëve katolikë që u vranë ose që vdiqën në burgje gjatë viteve të sundimit të Hoxhës. Për të 40 ata, përfshirë një grua, motër Maria Tucin, Vatikani kishte nisur procedurën e shpalljes “Martirë të Krishterimit”.
Beteja e Hoxhës me fenë është një ndër faqet më të trishta të historisë së komunizmit shqiptar. Fillimisht ai ngushtoi të gjitha hapësirat fetare në Shqipëri, anuloi pavarësinë e tyre, reduktoi ndjeshëm numrin e klerikëve, shtetëzoi pronat e kishës, xhamive ose teqeve dhe, në fund, u orvat ta ndalonte përfundimisht ushtrimin e saj. Vetë Hoxha ishte i bindur që feja kishte rrënjë të thella, siç dëshmon një letër e shkruar vetë prej tij në vitin 1967, në të cilën i instrukton sekretarët e parë në rrethe të jenë të kujdesshëm, por edhe të pamëshirshëm, sepse feja ka ndikim të madh në popull.
Në shkurt të vitit 1967 feja u ndalua zyrtarisht dhe Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm ateist i botës.
Porveç goditjes çnjerëzore ndaj klerit qe e frikshme, 2035 objekte kulti u mbyllën ose u shkatërruan, dhjetëra kisha, xhami ose teqe u shndërruan në bare, restorante ose shtëpi kulture. Katedralja e madhe e Shkodrës, e ngritur në fund të shekullit XIX, u bë Pallat Sporti. Kisha e Zemrës së Krishtit në Tiranë u bë Kinoteatër, Manastiri historik i Ardenicës, që trashëgonte legjendën e dasmës së Gjergj Kastriotit me të Bijën e Gjergj Aranitit, u bë hotel dhe restorant. Kisha më e vjetër dhe më me vlerë në vend, ajo e Vaut të Dejës, u hodh në erë me dinamit. Objekte fetare me rëndësi të veçantë, përfshi ikona dhe libra të shenjtë, në shumë raste u dogjën. Krimet ndaj monumenteve të tilla të kultit, por njëherësh edhe të kulturës, përbëjnë lista të gjata.
Me mijëra priftërinj dhe hoxhallarë u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata. Shumë hoxhallarëve dhe dervishëve bektashinj iu qethën mjekrat publikisht nga “gardistët e kuq” të rinisë komuniste që imitonte Revolucionin Kulturor Kinez. Ndër pamjet më makabre të transmetuara në TV mbahen mend ato kur varret e njerëzve të shenjtë bektashinj u hapën dhe eshtrat e tyre, që preheshin aty edhe prej shekujsh, u flakën në lumë.
Më 1976 ateizmi u sanksionua edhe në Kushtetutë. Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i parë dhe i vetëm ateist i Globit
Blendi Fevziu
(Marre nga libri “Enver Hoxha”)