Udhëzimi që përcakton se si do të paguhet gjoba për mos-mbajtjen e maskës është publikuar në Fletoren Zyrtare. Por mesa duket, edhe kjo masë po has në vështirësi në vjeljen e saj.
Sipas urdhrit të firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, ajo e Financave dhe e Energjitikës, Policia e Shtetit dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës tek OSHEE . Ky dokument duhet të përmbajë të dhëna të sakta dhe ID e personit të gjobitur si edhe adresën e tij të banimit.
Në rast se personi ka një kontratë të lidhur me OSHEE, atij i bashkëngjitet gjoba në faturën e energjisë elektrike, por problemi nis kur personi i gjobitur nuk ka një kontratë me OSHEE. Sipas udhëzimit, OSHEE e kthen gjobën e vendosur sërish në Policinë e Shtetit ose Policinë Bashkiake. Prej aty nuk jepet më asnjë udhëzim se si do të procedohet.
Burime të TV Klan bëjnë me dije se nga 10 mijë gjoba që janë vendosur për mos mbajtjen e maskës, asnjëra prej tyre nuk është paguar.
Udhëzimi përcakton ndër të tjera se mos pagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës së energjisë, do të t’ju klasifikojë si debitorë të OSHEE dhe në rastet më ekstreme, nëse qytetari nuk e paguan i ndërpritet energjia elektrike.
Kujtojmë se qeveria ka falur në dy raste gjobat e vendosura si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Në fillim u falën gjobat e periudhës së karantinës së përgjithshme dhe më pas ato të bizneseve që u gjetën në shkelje të udhëzimeve të ministrisë së Shëndetësisë. /Opinion.al