Gjykata e Krimeve të Rënda nuk arriti të zhvillojë seancën gjyqësore të ballafaqimit të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij me dëshmitarin e mbrojtur Ylvi Beqja. Pas 3 orëve debate, avokatët u larguan nga salla e gjyqit në mënyrë demonstrative. Sipas tyre, gjyqtarët janë të njëanshëm dhe dorëzuan kërkesën për përjashtimin e tyre.
Për rreth tre orë, gjykata debatoi me avokatët dhe të dyshuarin Emiljano Shullazi që kërkonin nga togat e zeza që dëshmitari i mbrojtur Beqja të sillej në sallën e gjyqit edhe fizikisht. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të policisë së shtetit dhe prokurorët, me arsyetimin e mungesës së sigurisë.
Të ndodhur në këto kushte, gjykata ndryshoi dy herë sallën e gjyqit, por pa arritur të bindë avokatët dhe të dyshuarit se pyetja e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të bëhet me video-konferencë nga një sallë tjetër, siç ka ndodhur gjithmonë në raste të tilla.
Por avokatët kundërshtuan këtë vendim të ndërmjetëm të gjykatës, duke u larguar në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, raportoi ABC NEWS.
Më herët, avokatët kërkuan gjithashtu nga gjykata, pezullimin e zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, për shkak të ankimit në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të vendimit për zhvillimin e kësaj seance për sigurimin e provës. Ankim që pritet të shqyrtohet brenda 5 ditëve nga kjo gjykatë.
Ndërkohë nën masa të rrepta të sigurisë, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja u soll në ambientet e gjykatës, për të dëshmuar përballë të dyshuarve të arrestuar, të cilët i akuzon për kërcënime dhe gjobëvënie.
Ylvi Beqja, ka rrëfyer në prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash.