Zjarrfikës dhe banorë të fshatit turistik Qeparo në përpjekje për të shuar flakët e zjarreve që lanë dhjetëra hektarë të djegur dhe rrezikuan shtëpi dhe plantacione ullinjsh.
Herët në mëngjes të dielën shërbimet e emergjencave civile thanë se arritën të ndalojnë përhapjen e zjarrit dhe se për momentin nuk ka zjarre aktive në zonë.
Për të bërë të mundur shuarjen e këtyre zjarreve është ndërhyrë me helikopter nga ajri. Vatrat e zjarrit u përhapën më shumë nga era e fortë që vështirësoi punën e helikopterit të ushtrisë, i cili ka hasur pengesë në mbushjen e ujit dhe transportin e tij drejt vatrave aktive të zjarrit.
Shumë fermerë në Shqipëri u vunë zjarrin fushave të mbjella për të pastruar barërat e këqij dhe mbeturinat përpara mbjelljes së kulturave të reja. Në korrik, Shqipëria identifikoi dhe akuzoi 14 vetë për ndezjen e zjarreve.
Të shtunën, policia shqiptare tha se kishte arrestuar katër persona në 24 orët e fundit për zjarrvënie të qëllimshme.
Policia u bëri thirrje qytetarëve që në asnjë rrethanë të mos ndezin zjarre, sepse ky veprim përbën krim dhe është i dënueshëm me ligj.
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur punën e Policisë së Shtetit, që arrestoi në kohë rekord personin që vuri zjarrin pranë fshatit Qeparo. Ai bëri thirrje që zjarrvënësit të dënohen reptësisht, teksa kujton se ligji parshikon një dënim maksimal deri në 15 vite burg.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha se 95 zjarre u raportuan në dy javët e para të Gushtit.
Klan News