Ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka zhvilluar sot një takim informal me krerët e partive të vogla në vend, pas firmosje së marrëveshjes me Partinë Demokratike. Pas takimit, Borchardt është shprehur se ndryshimi i datës së zgjedhjes është një proces i ndërlikuar.
“Për momentin e sigurt është që kemi një datë zgjedhjesh 30 qershor. Ndryshimi i datës është një proces shumë i ndërlikuar”, tha Borchardt në një prononcim për mediat.
I pyetur nëse shtyrja do të ishte një zgjidhje, ai tha se, “sigurisht që shtyrja e zgjedhjeve ndodhi në 2007-n, por a është kjo një zgjidhje e mirë? Kjo është diçka që duhet ta vendosin aktorët politikë në vend. Pastaj, vetëm shtyrje? Çfarë do të ndryshonte kjo?”.
Borchardt u shpreh se OSBE inkurajon palët politike të gjejnë një zgjidhje, por u takon atyre të gjejnë zgjidhjen e duhur.
Sot Partia Demokratike firmosi marrëveshjen me aleatët opozitarë, ku përfshihen LSI, PR, PDK, PAA, PDIU, PBDNJ dhe LZHK. Pika kyçe e kësaj marrëveshjeje është mospjesëmarrja në zgjedhje deri në largimin e Edi Ramës./Opinion.al