Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi një javë më parë se ka shtyrë daljen e përgjigjeve për fituesit e Lotarisë Amerikane për shkak të krizës së koronavirusit.
Në lidhje me këtë lajm ka reaguar sot Ambasada e SHBA në Tiranë e cila sqaron qytetarët se kjo nuk do të ketë një impakt negativ në administrimin e aplikimit.
“Departamenti Amerikan i Shtetit është duke e vonuar hapjen e kontrollit të statusit të regjistruesit për DV-2021, deri në datën 6 qershor 2020. Ky ndryshim është për shkak të përgjigjes tonë në lidhje me pandeminë COVID-19, e cila nuk do të ketë ndonjë impakt negativ në administrimin e DV-2021.
Për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2021 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve” shkruan Ambasada. /Opinion.al