Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk do të shqyrtohen në Kuvend këtë javë.
Në njoftim, Kuvendi shprehet se seanca e së enjtes (1 tetor) do të zhvillohet të hënën (5 tetor) në orën 10.00.
Sipas njoftimit, ky ndryshim bëhet për t’ju ardhur në ndihmë palëve për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Me porosi të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për t’u lenë kohë të mjaftueshme grupeve parlamentare për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, programuar për ditën e enjte, datë 1 tetor, ora 10:00, do të zhvillohet ditën e hënë, datë 5 tetor, ora 10:00.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Palët pritet të zhvillojnë negociata intensive deri të hënën për të dalë në një draft të unifikuar me propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të reflektojnë ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. /Opinion.al