Është shtyrë për nesër përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca për vendosjen e institucioneve në vend, do të mbahet pas takimit të krerëve politike të Kosovës. Konkretisht ky takim do të mbahet ditën e nesërme ora 16:00, me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkruan Kurti në rrjete sociale.
Seanca e fundit, e mbajtur ditën e mërkurë, dështoi për shkak të mosvotimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit të Kosovës. Gjithë këto përpjekje të dështuara, vijnë për faktin se Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga Albulena Haxhiu për pozicionin e kryeparlamentares. Kjo gjë sakaq, nuk aprovohet nga opozita, pasi e cilësojnë Haxhiun figurë përçarëse. Kështu, Vetëvendosja po tenton që të ndryshojë mënyrën e votimit, nga i hapur në të mbyllur, me synimin për të siguruar mbështetje më të gjerë për Haxhiun. Kjo gjë sakaq, po kundërshtohet plotësisht nga opozita.
Partitë opozitare nga ana tjetër, e pse nuk pranojnë figurën Haxhiu si kryeparlamentare, as votimin në mënyrë të fshehtë, nuk propozojnë as anëtarë për Komisionin për procedurën. Sakaq, Kushtetuesja ka dhënë “ultimatumin” e saj, që brenda 30 ditësh, Kuvendi i Kosovës të konstituohet.