Shqipëria do të jetë aksionere nëpërmjet Korporatës së Investimeve Shqiptare në resortin turistik elitar që do të ndërtohet në Sazan nga investitori Jared Kushner. Kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë projekt tashmë është krijuar dhe më 26 qershor është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin “Albanian State Development & Real Estate” pak ditë pasi Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Vlorën.
Në ekstraktin e regjistrimit të kompanisë thuhet se: “Kjo shoqëri duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal; Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit apo çdo projekt tjetër të autorizuar.”
Gjithashtu në dokument thuhet se “Albanian State Develompent & Real Estate” do të ketë të drejtën të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore duke u fokusuar në zhvillimin urban për projektin e Sazanit.
Aksioneri i vetëm i Shoqërisë është Korporata e Investimeve Shqiptare dhe kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë të zotëruara 100% prej saj.
Dhëndri i Donald Trump, biznesmeni Jared Kushner e mori statusin e Investitorit Strategjik vitin e shkuar për projektin në Sazan që kap vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Ky investim pritet ta kthejë Sazanin në një zonë të turizmit elitar ku do të punësohen mbi 1 mijë persona në strukturën e re që do të ndërtohet në ishull.