Një ide e sipërmarrësit Dritan Gremi dhe skulptorit Agim Rada është konkretizuar në banesën e këtij të fundit, me ekspozitën memorial “Shtëpia e artistit”.
Me synimin për të kujtuar artistët e dënuar në diktaturë, por dhe me qëllimin për të thënë se e shkuara duhet njohur për të mos u përsëritur, Gremi e sheh këtë pjesë të historisë gjithashtu si një dritare të zhvillimit të turizmit të kujtesës.
Në sallën ekspozitë, e veshur me një afresk mural të realizuar nga Rada më shumë se 10 vite më parë, në prani të miqve dhe dashamirësve të artit, u prezantuan dokumenta, foto dhe punë të artistëve të dënuar. Aktorja Margarita Xhepa solli për të pranishmit recitimin e poezisë Saharaja, të poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi.
Mes emocionesh u përcoll edhe një material filmik me historitë më të forta të artistëve të dënuar në diktaturë, që nga Havzi Nela, tek Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Maks Velo, Arshi Pipa, etj./Opinion.al