Abu Dhabi po kthehet në një qendër të rëndësishme për investime, inovacion dhe zhvillim ekonomik — dhe në këtë skenë ndërkombëtare po spikat puna e Valentina Markut, shqiptarja që po promovon mundësi të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë muajve të fundit, Valentina Marku ka organizuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme në Masdar City, KEZAD (Khalifa Economic Zones Abu Dhabi), Abu Dhabi Chamber of Commerce dhe Palms Sports, duke mbledhur përfaqësues institucionesh, investitorë dhe drejtues kompanish nga vende të ndryshme.

Këto evente kanë synuar forcimin e marrëdhënieve ekonomike, nxitjen e investimeve të huaja dhe prezantimin e Shqipërisë si një partner serioz në tregjet ndërkombëtare.
Në Masdar City, ajo është angazhuar në nisma që lidhen me energjinë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa në KEZAD ka promovuar mundësitë për investime në zonat ekonomike të lira.
Në Abu Dhabi Chamber, aktivitetet e organizuara prej saj kanë krijuar hapësira për bashkëpunim midis bizneseve shqiptare dhe atyre të Emirateve, ndërsa përmes Palms Sports, ajo ka sjellë në vëmendje rolet e reja të sportit në diplomacinë ekonomike dhe sociale.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të prezantojmë Shqipërinë në nivelet ku merren vendime për zhvillimin ekonomik global,” – është shprehur Valentina Marku në një nga eventet e saj në Abu Dhabi.
Përmes punës, vizionit dhe energjisë së saj, Valentina Marku po kthehet në një emër të njohur në fushën e organizimeve ndërkombëtare, duke dëshmuar se profesionalizmi shqiptar mund të ketë ndikim real edhe në një nga ekonomitë më dinamike të botës.

Së fundmi, puna dhe angazhimi i saj u pasqyruan edhe në një reportazh të posaçëm të emisionit “Opinion”, i realizuar në Abu Dhabi, ku u prezantuan nga afër aktivitetet që ajo ka organizuar dhe rrjetet e bashkëpunimit që po ndërtohen për investime mes Shqipërisë dhe Emirateve.
Ky reportazh solli për publikun shqiptar një panoramë të qartë të zhvillimeve në Abu Dhabi dhe të rolit që luan Valentina Marku si një urë lidhëse mes dy tregjeve.

















