Eda Gemi, shqiptarja që prej vitesh jeton në Greqi, do të kandidojë në zgjedhjet për Parlamentin Europian nën siglën e Lëvizjes për Ndryshim, KINAL. Gemi është pritur nga kryetarja e partisë Fofi Gennimata, e cila ka miratuar kandidaturën e saj.
KINAL ka 19 deputetë në Parlamentin e Greqisë dhe 2 deputetë në Parlamentin Europian, teksa shpreson që të rrisë prezencën pas zgjedhjeve të majit.
Eda Gemi është eksperte e shkencave politike, e specializuar për çështje të qeverisjes, emigracionit dhe politikave të integrimit. Pasi ka përfunduar studimet në Universitetin Metropolitan të Londrës, Eda Gemi ka marrë masterin për shkenca politike në Universitetin e Athinës. Flet greqisht, anglisht dhe italisht, përveç gjuhës amtare shqipe.
Në CV-në e saj thuhet se është lektore dhe studiuese në ISR-Institute for Urban and Regional Research, European University Institute në Firence dhe Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa në këto zgjedhje ajo do të kërkojë edhe votëbesimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi./Opinion.al