Familja e 26-vjeçarit Bledar Terpollari, që u vra dhe u masakrua në Igumenicë, i bën apel shtetit t’i gjejnë dhe sjellin kokën e djalit të tyre.
Dy ditë më parë, në fshatin e thellë malor Backë, të komunës Potom në Skrapar, iu dha lamtumira të riut të masakruar.
Babai i tij, Kujtim Terpollari, u fut në borxhe për të sjellë trupin e të birit. Por ai bën apel për gjetjen e kokës, pasi trupi i djalit nuk mund të prehet pa të.
Në një intervistë të dhënë për gazetën Panorama, ai mohon që i biri të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi që merrej me trafikun e drogës dhe këtë, sipas tij, e tregon më së miri gjendja ku jeton sot familja.
“Nëse im bir do të merrej me drogë, ne nuk do të ishim sot në këtë skamje. Jetojmë gjashtë veta, madje me një fëmijë me aftësi të kufizuara, me 8 mijë lekë. Nëse djali do të merrej me drogë, ne do të kishim para të sillnim trupin e tij, dhe jo t’i merrnim ato borxh”, shprehet Kujtim Terpollari.