Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese 

2023/11/15 at 4:29 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 11 min
A A
Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese 

Safet Demiroviç dhe Teuta Fazliu janë dy nga shumë shqiptarë të Serbisë jugore, të cilëve u janë çaktivizuar adresat ku janë të regjistruar. 


Policia, sipas tyre, ua ka fshirë ato me shpjegimin se nuk jetojnë aty. 

“Askush nuk më ka lajmëruar, as nuk më ka njoftuar [që adresa ime është çaktivizuar]”, thotë Demiroviç për Radion Evropa e Lirë. 

Një përvojë të ngjashme thotë se ka kaluar edhe Teuta Fazliu. Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të REL-it, ajo thotë se raste të ngjashme, kur bëhet fjalë për shqiptarët, ka pasur edhe më herët, por se numri është rritur ndjeshëm viteve të fundit. 

“Jam gati të shkoj deri në Strasburg [ku gjendet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut]”, thotë ajo. 

Rasti i Demiroviçit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Në ankesë, ata thonë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare. 

Përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre, në këtë mënyrë, u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje. 

Pretendimet e njëjta janë bërë edhe në një raport të publikuar së voni nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Aty thuhet se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët – gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme. 

Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë – 21.2 për qind në periudhën 2015-2019. 

“I fshirë pa paralajmërim” 

Katër vjet më parë, Safet Demiroviç nga Banja e Sijarinës në komunën e Medvegjës, në jug të Serbisë, ka marrë vesh rastësisht se është fshirë nga adresa e tij. Ai ka shtëpi dhe kompani të regjistruar në atë vend. 

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në vitin 2019 ka shkuar në stacionin lokal policor “për ta regjistruar veturën në emër të tij”. 

Por, policia e ka pritur me njoftimin se adresa e tij është çaktivizuar dhe se nuk mund t’i marrë dokumentet. 

Demiroviç thotë se punon përkohësisht në Austri, por se shkon rregullisht në Serbi. Ai thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim për çaktivizimin e adresës së tij. 

“Në Banjë të Sijarinës kam shtëpinë dhe kamera përreth objektit… Do ta shihnim po të kishte qenë policia”, thotë ai. 

Demiroviç pohon se pas kësaj, në një bisedë jozyrtare private me policinë, i është thënë se nuk mund të regjistrohet më në adresën në Banjë të Sijarinës, për arsye politike, përkatësisht për shkak të “votave në zgjedhje”. 

“Kjo, sepse unë quhem Safet, e jo Goran, për shembull”, thotë ai. 

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me problemin e çaktivizimit të adresave. 

Demiroviç thotë se, në fund, është detyruar të regjistrohet në një adresë në Beograd, për të pasur vendbanim në Serbi. 

“Ndihem keq që nuk jam i regjistruar në vatrën time. Gjyshi dhe stërgjyshi kanë jetuar atje. Ne jemi vendas. Jam rritur atje. Aty kam kaluar fëmijërinë”, thotë Demiroviç, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja përse ka vendosur që t’u drejtohet gjykatave në Serbi. 

Ai thotë se nuk është i vetmi që ka përjetuar një gjë të tillë në zonën ku jeton dhe beson se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare, në këtë mënyrë, janë shënjestra. 

“Miqtë e mi të kombësisë serbe punojnë edhe jashtë vendit, por adresat e tyre nuk janë çaktivizuar. Të drejtat tona civile mohohen”, thotë Demiroviç. 

Çaktivizimi i adresave në Serbi bëhet në përputhje me Ligjin për vendbanim. 

Policia, me kërkesë të gjykatës, administratës shtetërore apo ndonjë organi tjetër që ka interes të justifikuar juridik, kontrollon nëse shtetasi banon në adresën e regjistruar. 

“Vendim politik” 

Teuta Fazliu thotë se në vitin 2020 ka marrë një telefonatë nga policia në Bujanoc, në jug të Serbisë, për t’u lajmëruar për përcaktimin e adresës së saj. 

“Telefonata ka ardhur pasdite dhe unë është dashur të lajmërohem në 10 të mëngjesit. Këtu është shkelur ligji. Nuk mund ta thërrasësh dikë atë ditë dhe atë ditë të lajmërohet”, thotë ajo. 

Fazliu shton se pas një jave ka marrë njoftimin se i është çaktivizuar adresa, pasi gjoja nuk jeton në Bujanoc. 

“Në Bujanoc kam qenë nga 11 marsi 2020, për shkak të pandemisë. Kam punuar nga shtëpia, kam qenë shtatzënë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi”, thotë Fazliu, duke shtuar se policia nuk e ka kontrolluar vazhdimisht nëse ka qenë në adresë, ashtu siç pretendon. 

Ajo beson se adresa e saj është çaktivizuar, sepse është e punësuar në Kosovë dhe e martuar me një shtetas të Kosovës. Ky është “vendim politik”, sipas saj. 

“Kam planifikuar të shkoj deri në fund, sepse Serbia, për shkak të situatës politike, nuk mund t’ua marrë shqiptarëve adresën dhe identitetin”, thotë Fazliu. 

Ajo shton se me çaktivizimin e adresës, qytetarët humbin të drejtën e votës në zgjedhje, shitjes së pronës dhe shfrytëzimit të kujdesit shëndetësor. 

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, më 2022, shumica e popullsisë në Bujanoc është e nacionalitetit shqiptar. 

Procedurat para gjykatave në Serbi 

Avokati i Demiroviçit dhe Fazliut, Aleksandar Olenik, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të policisë për çaktivizimin e adresave të tyre, ai ka parashtruar ankesë në Gjykatën Administrative për të dyja rastet. 

“Ajo [gjykata] ka përsëritur atë që ka thënë policia, pa asnjë proces verifikimi”, thotë Olenik. 

Ai thotë se instanca e radhës është Gjykata Kushtetuese. Në ankesën që ka bërë, ka thënë se Demiroviç dhe Fazliu janë viktima të diskriminimit. 

“Në Vojvodinë dhe në Serbinë qendrore, policia, thjesht, nuk e bën këtë. Për shembull, keni studentë që prej vitesh jetojnë të paregjistruar në qendrat universitare, nuk jetojnë aty ku janë të regjistruar. Nuk i kemi ato raste [të çaktivizimit të adresave] as kur bëhet fjalë për pakicat e tjera kombëtare [në Serbi]”, thotë Olenik. 

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se sa ankesa ka pranuar deri më tani Gjykata Kushtetuese për diskriminimin e shtetasve të pakicës kombëtare shqiptare, përmes instrumentit të çaktivizimit të adresave, ky institucion ka thënë se nuk disponon të dhëna të tilla. 

Nëse Gjykata Kushtetuese e refuzon ankesën, Demiroviç dhe Fazliu mund të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. 

Çaktivizimi i adresave “i zbatuar në mënyrë të dyshimtë” 

Çaktivizimi i adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë ka qenë temë edhe e një raporti të Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut, të publikuar në tetor, ku përmendet edhe rasti i Demiroviçit dhe Fazliut. 

Nga korriku deri në shtator të këtij viti, hulumtuesit e kësaj organizate kanë hulumtuar rreth çaktivizimit të adresave të shtetasve të Serbisë të nacionalitetit shqiptar në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, të njohura si Lugina e Preshevës. 

Sipas të dhënave të tyre, nga viti 2012, në Luginën e Preshevës janë çaktivizuar adresat e më shumë se 2.900 qytetarëve. 

Raporti pretendon se çaktivizimi, në përgjithësi, nuk kryhet në përputhje me ligjin. 

“Një nga gjetjet është se 72 për qind e të anketuarve, me të cilët kemi pasur mundësi të bisedojmë, nuk kanë marrë vendim për çaktivizimin e adresave. Por, qytetarët përballen me të vetëm kur u duhet të nxjerrin ndonjë dokument të nevojshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marko Millosavleviç, njëri nga autorët e raportit. 

Ai beson se, në këtë mënyrë, qytetarët futen në një “proces burokratik kafkian”, sepse nuk kanë asnjë dokument për të cilin mund të ankohen. 

Sipas Millosavleviçit, disa prej tyre janë detyruar të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në shtëpi, në mënyrë që policia t’i gjejë në adresën e tyre dhe, në këtë mënyrë, të vërtetojë se ata jetojnë atje. 

“Në këtë mënyrë u kufizohet liria e lëvizjes”, thotë Millosavleviç, duke shtuar se qytetarëve me adresë të çaktivizuar, u hiqen një sërë të drejtash, sepse në rast se u skadojnë dokumentet personale, ata nuk kanë mundësi të aplikojnë për të rejat. 

Ai thotë se qytetarët e nacionalitetit shqiptar në Medvegjë, janë prekur më së shumti nga çaktivizimi i adresave, “i zbatuar në mënyrë të dyshimtë”. 

“Në bazë të të dhënave të njërit prej burimeve, që mbetet anonim për arsye sigurie, rreth 4.000 qytetarë janë fshirë nga lista e votuesve në periudhën 2015-2019 dhe shumica e këtyre personave janë në zonat me shumicë shqiptare të asaj komune”, thotë Millosavleviç. 

Në pyetjen e REL-it për këtë problem, Komuna e Medvegjës tha se nuk është në juridiksionin e saj. 

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në komunën e Medvegjës jetojnë 6.360 banorë, ndërsa numri i qytetarëve të nacionalitetit shqiptar është 905. Serbët përbëjnë popullsinë shumicë me 4.927 banorë. 

Pretendime kontradiktore 

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar. 

Shaip Kamberi, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Serbisë, në një letër drejtuar të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në muajin janar, ka shkruar se autoritetet serbe po bëjnë çaktivizim të ashtuquajtur të adresave në vendbanimet e shqiptarëve, me qëllim zvogëlimin e numrit të tyre në Luginën e Preshevës. 

Ai, po ashtu, ka theksuar se shqiptarët në Serbi janë viktima të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008. 

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. 

Në shtator, ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Aleksandar Martinoviç, i ka hedhur poshtë si “absolutisht të pasakta” pohimet e ish-kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, se ndaj shqiptarëve në tri komunat në jug të Serbisë po kryhet “spastrim etnik administrativ”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. 

“Çaktivizimi i famshëm i vendbanimeve të shtetasve të nacionalitetit shqiptar në jug të Serbisë nuk është kryer dhe, në këtë aspekt, qytetarët e Serbisë me kombësi shqiptare kanë të drejtë të votojnë me kapacitet të plotë, si të gjithë qytetarët e tjerë të Serbisë”, ka thënë atëkohë Martinoviç. 

Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për problemin e çaktivizimit të adresave. 

Paralajmërime nga Komisioni Evropian dhe Departamenti i Shtetit 

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave. 

Në raport thuhet se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohen në vendbanimet e tyre. 

“Autoritetet duhet t’ia shpjegojnë më mirë publikut se si kryhen ato kontrolle”, thuhet në raport. 

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit nga viti 2022 konsiderohet, po ashtu, si e diskutueshme praktika e çaktivizimit të adresave në Serbi. 

“Policia, në mënyrë rutinore, e merr këtë vendim duke bërë vizita spontane në shtëpi. Edhe pse këto vizita shpesh bëhen gjatë orarit të punës, mjafton që personi të mos jetë i pranishëm një herë për të konstatuar mosqëndrimin e tij në adresë”, thuhet në raport. 

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se shumë persona, të cilëve u është çaktivizuar adresa, nuk janë informuar për këtë dhe se ata e kanë kuptuar vetëm kur kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e dokumenteve personale./REL 



Ju sugjerojmë

Dhunimi i anëtarit të KZAZ, Këlliçi: Krim zgjedhor! Autorët janë lejuar të largohen
Aktualitet

Dhunimi i anëtarit të KZAZ, Këlliçi: Krim zgjedhor! Autorët janë lejuar të largohen

15 Maj, 2025 3:43 pm
PD dhe policia ranë dakord, ja ku do të mbahet nesër protesta
Aktualitet

PD dhe policia ranë dakord, ja ku do të mbahet nesër protesta

15 Maj, 2025 3:32 pm
Votat preferenciale në Fier, Balluku: Kënaqësi që janë mbështetur edhe kandidatët
Aktualitet

Votat preferenciale në Fier, Balluku: Kënaqësi që janë mbështetur edhe kandidatët

15 Maj, 2025 3:17 pm
VIDEO/ Vëzhguesi godet me grusht kryetarin e KZAZ në Kashar
Aktualitet

VIDEO/ Vëzhguesi godet me grusht kryetarin e KZAZ në Kashar

15 Maj, 2025 2:49 pm
Kosovë/ Liderët e partive politike mblidhen në Presidencë
Rajoni

Kosovë/ Liderët e partive politike mblidhen në Presidencë

15 Maj, 2025 2:35 pm
Vula e Partisë Demokratike, Apeli: Më 3 mars shqyrtohet çështja
Aktualitet

PD shkresë KQZ-së: Kërkojmë dokumentacionin e procesit të votimit nga diaspora

15 Maj, 2025 2:13 pm
Aksidenti i trefishë në Fushë-Milot, policia: Të plagosurit janë nisur drejt Traumës
Aktualitet

Aksident me vdekje/ Motori përplaset me bordurën, humb jetën 26-vjeçari

15 Maj, 2025 2:12 pm
Emigracioni/Rama: Në 2024 ka rënë numri i shqiptarëve që shkojnë në Britani
Aktualitet

‘Nëse bie shi,e keni fajin ju’/Rama-gazetarëve britanikë:Shijojeni Tiranën, urojmë..

15 Maj, 2025 1:55 pm
Aksident në rrugën Pogradec-Qafë Thanë, humb jetën 55-vjeçari
Aktualitet

Aksident i rëndë në Sarandë/ Humb jetën punonjësi i policisë, plagosen 2 të tjerë

15 Maj, 2025 1:48 pm
“Besnik ndaj martesës me Italinë”/Rama:Kam qenë i qartë, s’bëjmë marrëveshje tjetër…
Aktualitet

“Besnik ndaj martesës me Italinë”/Rama:Kam qenë i qartë, s’bëjmë marrëveshje tjetër…

15 Maj, 2025 1:39 pm
Para
Aksioni i opozitës, Rama: Lidhet me drejtësinë, hyjnë nga penxheret sepse i shtyn diçka e fortë në këto akrobacira qesharake

Aksioni i opozitës, Rama: Lidhet me drejtësinë, hyjnë nga penxheret sepse i shtyn diçka e fortë në këto akrobacira qesharake

Rama: Drejtësinë e re nuk e solli as BE dhe as SHBA, por PS

Rama: Drejtësinë e re nuk e solli as BE dhe as SHBA, por PS

Rama ironizon deputetët e opozitës: Dikur ishin dema, tani e dini çfarë janë

Rama ironizon deputetët e opozitës: Dikur ishin dema, tani e dini çfarë janë
















TE FUNDIT

Dhunimi i anëtarit të KZAZ, Këlliçi: Krim zgjedhor! Autorët janë lejuar të largohen

Dhunimi i anëtarit të KZAZ, Këlliçi: Krim zgjedhor! Autorët janë lejuar të largohen
15 Maj, 2025

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një KZAZ në...

Lexo më shumë

PD dhe policia ranë dakord, ja ku do të mbahet nesër protesta

PD dhe policia ranë dakord, ja ku do të mbahet nesër protesta
15 Maj, 2025

Policia e Tiranës dhe Partia Demokratike kanë arritur një dakordësi, duke ndryshuar disa kushte të protestës së kësaj force politike...

Lexo më shumë

Votat preferenciale në Fier, Balluku: Kënaqësi që janë mbështetur edhe kandidatët

Votat preferenciale në Fier, Balluku: Kënaqësi që janë mbështetur edhe kandidatët
15 Maj, 2025

Pasi ka përfunduar procesi i numërimit të votave preferenciale në Fier, drejtuesja politike e Partisë Socialiste për këtë qark, Belinda...

Lexo më shumë

VIDEO/ Vëzhguesi godet me grusht kryetarin e KZAZ në Kashar

VIDEO/ Vëzhguesi godet me grusht kryetarin e KZAZ në Kashar
15 Maj, 2025

Një incident është regjistruar mesditën e sotme në ambientet e Qendrës së Numërimit të votave në Kashar, ku një vëzhgues...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com