-Kulturë

Shqipëria renditet në vendet me rrezik të lartë nga mungesa e ujit


               Publikuar në : 21:37 - 09/08/19 |
Al Do

Shtatëmbëdhjetë vende, në të cilat jeton një e katërta e popullsisë së botës, janë në rrezik ekstrem për mungesë të ujit, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Resurseve Botërore (WRI).

Dikur kriza e ujit mendohej e pamundur ndërsa në ditët e sotme është bërë një problem i zakonshëm.

Rezervuarët në Chennai, qyteti i gjashtë më i madh në Indi, pothuajse janë tharë. Vitin e kaluar, banorët e Cape Town në Afrikën e Jugut  arritën të shmangnin për pak atë që njihet si “Dita Zero”, ku i gjithë vendi nuk do të ketë më burime uji. Një vit para kësaj, Roma e racionoi ujin për të ruajtur burimet e pakta.

Shkaqet e këtyre krizave nuk janë vetëm thatësirat. Institutit i Resurseve Botërore në raportin e tij ka zbuluar se përdorimi i ujit, në shkallë globale është dyfishuar që nga viti 1960 për shkak të kërkesës në rritje dhe ky fenomen nuk po tregon shenja ngadalësimi.

Në listën e 164 shteteve të renditura nga më të rrezikuarat në më pak të rrezikuarat Shqipëria është në vendin e 33. Vendi ynë bën pjesë në grupin e shteteve me rrezik të lartë të mbarimit të rezervave të ujit të pijshëm. Në të njejtin grup bëjnë pjesë Belgjika, Greqia, Spanja, Tuqia, Italia, etj.

Katari, Izraeli, Libani, Irani dhe Jordania – janë në krye të listës të vendeve më të rrezikuara nga mungesat e mundshme të ujit – për të cilat, sipas raportit të WRI, edhe thatësira më e vogël mund të jetë një kërcënim i madh, pasi ato po shpenzojnë pothuajse të gjitha rezervat e mundshme të ujit.

Nga ish-republikat jugosllave, Kroacia është më e sigurta, duke u renditur në vendin e 140, pasuar nga Mali i Zi (121), Sllovenia (117) dhe Serbia (109), të cilat klasifikohen si grupi më i madh i 64 vendeve me një rrezik të ulët të mungesës uji.

Bosnja dhe Hercegovina renditet në vendin e 97-të në listën WRI në grupin e vendeve me rrezik të “mesëm të ulët”, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet e 52-ta.

Studiuesit parashikojnë që gjendja nga mungesa e ujit do të përkeqësohet ndjeshëm, për shkak të rritjes së popullsisë dhe ndryshimit të klimës. /Opinion.al

Pas