Shqipërinë e pret një moment historik në futboll pasi vendi ynë është përzgjedhur si organizator i kampionatit europian për U-17 që do të mbahet nga maji në qershor. Në vitin 2027, në bashkëpunim me Serbinë, do të organizojë kampionatin për U-21.
Sipas trajnerit të kombëtares së U-21, Alban Bushit këto janë organizimet më të mëdha që mund të ketë kaluar Shqipëria në aspektin e futbollit. Në programin “Rudina” në Tv Klan ai shprehet mjaft optimist për mundësitë që do të sjellin këto evente të rëndësishme dhe faktin që Shqipëria ka fituar besimin e UEFA-s për t’iu ngarkuar detyra të tilla.
Alban Bushi: Mendoj që janë nga më të mëdhatë që mund të ketë kaluar në historinë e vet Shqipëria, sidomos për futbollin. Nuk ka gjë më të madhe që një vendi t’i besohet që të organizojë kampionatin europian për U-17 sepse është kampionati europian për A, kampionati europian U-21, U-19 dhe U-17, pra besimi që ka krijuar UEFA për vendin tonë është jashtëzakonisht i madh, kjo edhe falë presidentit që është zëvendëspresident atje. Ne e kemi treguar që dimë të bëjmë mirë kështu organizimesh dhe eventesh sepse edhe Conference League e organizuam mirë në “Air Albania” që luajti Feynoord me Romën që na u besua ne, në këtë pikëpamje mendoj unë që UEFA ka krijuar një lloj besimi dhe na jep që të organizojmë prapë një kompeticion shumë të rëndësishëm si U-17 dhe U-21.
Mendoj që është gjë e madhe sepse në radhë të parë promovon Shqipërinë në gjithë Europën, ndeshja shihet në çdo kënd, ndeshja shihet pothuajse në të gjithë botën. UEFA ndihmon që ti të krijosh një infrastrukturë sa më të mirë, pastaj imazhi i Shqipërisë është shumë i madh, motivimi për fëmijët që do të shohin lojtarë shumë të mëdhenj, lojtarët e Francës, Spanjës, Gjermanisë do t’i kemi këtu në Tiranë për rreth një muaj, turistë, ka shumë benefite të mira për Shqipërinë dhe unë mendoj që ne dimë t’i bëjmë mirë gjërat, siç kemi bërë edhe me Conference League, mendoj që do ta bëjmë shumë mirë, thjesht duhet një mbështetje e publikut akoma më e madhe kurse për U-21 është pastaj po e njëjta gjë, por niveli pastaj është akoma më i lartë, janë lojtarë që vuajnë në nivele Real Madrid ose Milan, nivele shumë të larta./tvklan.al