Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca e ka cilësuar historike zgjedhjen e Shqipërisë anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter” Soreca thotë se tashmë pret bashkëpunim për çështjet globale.
“Ditë historike për Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Urime për zgjedhjen si anëtar i Këshillit të Sigurimit 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale” shkruan ai.
Shqipëria u zgjodh sot anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi ishte i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.