Kombëtarja do të zhvillojë sot në orën 17:30 testin e parë të fazës përgatitore para Europianit.
Kuqezinjtë do të përballen me përfaqësuesen e Katarit në stadiumin 6500 vendësh të Hartbergut ku do të mbështet nga tifozë së shumtë, të cilët nuk kanë munguar edhe gjatë stërvitjeve në Bad Valtersdorf.
Pritet që De Biasi të mos ndërrojë skemë duke e reshtuar skuadrën 4-4-1-1. Cana edhe mund ta nisë nga stoli, pasi në stërvitjen e djeshme mori një goditje në pulpë, por nuk duket asgjë serioze. Gianni De Biasi mund të zgjedhë mes 23 lojtarëve, pasi Memushaj, Kaçe, Veseli dhe Kukeli janë me ekipet e tyre.
Sfida e sotme pritet t’i japë sinalje De Biasi ku do të shikojë formën e lojtarëve në këtë sezon të ngarkuar dhe për listën përfundimtare. Katari ishte nga kundërshtarët e parë që Gianni De Biasi pati përballë si trajner i Shqipërië.
Para 4 vitesh Kombëtarja e fitoi me rezultatin 2 – 1 takimin e zhvilluar në Madrid. Trajneri i Katarit, Daniel Carreno ka grumbulluar vetëm 18 futbollistë dhe skuadra po përgatitet për kualifikueset e Kupës së Botës 2018.