Një shpërthim me lëndë plasëse është shënuar gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, në një banesë në Kamëz.
Burime pranë policisë sqaruan për “G.SH” se lënda plasëse ishte hedhur në oborrin e banesës së një 42-vjeçari me iniciale A.S., ku fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar në njerëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 të së premtes.
Ka qenë pronari i banesës ai i cili, sapo dëgjuar shpërthimin në oborrin e banesës, ka njoftuar menjëherë në numrin e emergjencave, 112. Menjëherë pas kësaj, në vendin e ngjarjes u dërguan shërbimet e policisë, nga ku ka rezultuar se në oborrin e banesës së këtij personi, në një grumbull balte është konstatuar një gropë, e cila dyshohet të jetë krijuar si pasojë e hedhjes së lëndës plasëse.
Zyrtarisht, policia njoftoi se nuk ka pasur të dëmtuar në njerëz, si edhe dëme materiale. Aktualisht, hetuesit e çështjes kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij veprimi, si dhe po punojnë për identifikimin dhe vënien në pranga të autorit.
Në pyetje policia ka marrë edhe 42-vjeçarin, i cili ka thënë se nuk ka konflikte, por autori mund të ketë ngatërruar banesën. Për këtë ngjarje, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.