Një 35-vjeçar me iniciale M.H është arrestuar nga policia e Tiranës për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas policisë, shtetasi në fjalë shpërndante lëndë narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”. Në cilësinë e provës mësohet të jenë sekuestruar 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.
“Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rrethrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë. Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë”, njofton policia./Opinion.al