Të paktën 60 persona janë shoqëruar prej së enjtes në polici, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Burime për Klan News bëjnë të ditur se bëhet fjalë për punonjës të një kompanie call center, në emër të një izraeliti.
Hetimi për rastin mësohet se ka dy vjet që ka nisur dhe gjatë kësaj kohe, autoritetet shqiptare mësohet se kanë kërkuar informacion në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, kryesisht në Spanjë, Francë e Gjermani.
Po sipas burimeve të Klan News, gjithçka ka nisur nga një kërkesë e autoriteteve gjermane, që pretendonin për mashtrim nga call center-at ndaj një shtetaseje gjermane. Kjo e fundit kishte bërë kallëzim në Gjermani, se i kishin marrë një shumë prej 9 mijë eurosh.
Operacioni në fjalë është ende në vijim e sipër dhe pritet që me të përfunduar të ketë një informacion zyrtar, si për hetimet ashtu edhe për të arrestuarit.