Kryesore

“Shkollat vatra infektimi”, PD: 10 mësues kanë humbur jetën nga COVID


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:37 - 14/11/20 |
Al Do

Pandemia i ka marrë jetën deri tani 10 mësuesve të infektuar me koronavirus, sipas Partisë Demokratike.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar qeverinë se nuk siguron dot kushtet minimale të sigurisë në shkolla për mësuesit.

Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. PD shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve të shtrenjta të mësuesve dhe ngushëllon familjet, kolegët e të afërmit.”, tha Vokshi.

Gjatë një deklarate për mediat para kryeministrisë, përfaqësuesja e PD tha se për shkak të mos marrjes së masave nga ana e qeverisë, shkollat janë kthyer në vatra të përhapjes së COVID-19. Sipas saj në të gjithë vendin janë aktualisht 600 mësues të prekur  dhe mbi 1300 nxënës të karantinuar.

Situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Ajo që i intereson Edi Ramës është vetëm t’i përdorë ata për politikë dhe për pushtet.

Shkollat në Tiranë: në dy ditët e fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur ose karantinuar. Vetëm në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur me COVID19. Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues. Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues prekur / karantinuar dhe mbi 1300 nxënës

Denoncimet janë të përditshme nga çdo shkollë e vendit. Mësues dhe prindër që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë. Qeveria ka vendosur të mbyllë veshët dhe të mos i dëgjojë lutjet e tyre, pasi mësuesit dhe nxënësit i duhen vetëm për dekorin e propagandës së Edi Ramës. Qeveria i ka braktisur e lënë në mëshirë të fatit, pa testime, pa maska, pa dezinfektant, pa ujë, pa kushte higjeno sanitare, duke i shfrytëzuar si skllevër me dyfishin e ngarkesës që nuk u paguhet kurrë. Humbjet e jetës mund të ishin shmangur, nëse Qeveria do të reagonte në kohën e duhur dhe  do të kishte zbatuar planin e propozuar nga PD”, u shpreh Vokshi. /Opinion.al

Pas