Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka quajtur politike protestën që pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës po bëjnë kundër ndërtimit të një shkolle në fidanishten e këtij institucioni. Gjatë takimit në Qytetin Studenti, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Veliaj tha se brenda kampusit ka pasur motel dhe nuk ka protestuar askush.
“Edhe në debatin që kam pasur me rektorin i kam thënë që duhet të jetë konsistent. Kur u ndërtua motel, motel me orë, tani jeni goca dhe e kuptoni çfarë po them, motel me orë brenda në kampus, dhe nuk protestoi njeri. Po të isha unë prind, do ta kapja në fyt këdo drejtor në atë universitet dhe do i thosha, vajza ime nuk mund të ketë motel me orë, në të njëjtën rrugë që duhet të shkojë në katedër dhe në klasë. S’mund të ketë bingo, baste, mejhane, stripklube e kafe pa fund. Kështu që kjo qartazi është politike dhe është kthyer në modë, që sa herë nis një punë Bashkia e Tiranës, o burra ta bllokojmë”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se shkolla do të ndërtohet pavarësisht protestave. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u premtoi studentëve të Qytetit Studentit se brenda mandatit do të jenë rikonstruktuar të gjitha konviktet./Opinion.al