Pas Lazaratit, Shkodra bëhet rajoni më problematik për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike. Rreth 35% në rang kombëtar e zë ky rajon me parcelat e mbjella, shifër kjo zyrtare që paraqet Policia e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato, deklaroi se Shkodra dhe Shqipëria vijojnë të jenë në hartën gri për drogën. Deklaratën Qato e bëri gjatë një takimi në Shkodër për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Drejtori Qato tregoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare, por edhe zonat më të prekura ku ka parcela të mbjella me bimë narkotike.
“Duhet ta heqim Shqipërinë dhe Shkodrën nga harta gri e kultivimit të bimëve narkotike. Nëse bëjmë një bilanc, Shkodra zë 35% me parcela me bimë narkotike, pra qarku me riskun më të madh për kultivimin e drogës. Duhet që zbulueshmëria të jetë më e lartë sepse është 10% në Shkodër, një shifër e ulët. Është e rëndësishme që të goditen autorët edhe ata që iniciojnë këtë aktivitet kriminal”, u shpreh Qato. Ai shprehur pakënaqësi në lidhje me mungesën e informacionit për kultivuesit dhe zonat se ku janë. “Institucionet po ashtu duhet që të shkëmbejnë informacione. Shqetësim në Shkodër janë disa pjesë gjeografike në zona të thella malore në toka të pabanuara apo të pasaktësuara.
Edhe këtu duhet që të ketë një identifikim se kush i ka këto toka apo çfarë bëhet me ta”, tha ai, ndërsa ka renditur zonat problematike. Sipas drejtorit Qato, ato janë: pjesa e Dukagjinit me fshatrat Shosh, Shalë, Pult, Puka me fshatrat LufëQerret, Qelëz, Gjegjan, Qafë Mali, Iballë, Fierzë, Malësia e Madhe me zonat Shkrel, Kastrat, Kelmend edhe Vau Dejës me fshatrat Temal, Shllak apo Vig Mnelë dhe Shkodra me zona si Dajçi dhe Guri Zi.