SHKODËR- Qyteti i Shkodrës i ka kthyer ‘nderin e nëpërkëmbur’ Sami Repishtit. Këshilli Bashkiak vendosi me votë unanime ti japë titullin “Qytetar Nderi” profesor Repishtit. Titulli jepet aty ku jeton hetuesi i kohës së diktaturës, Shyqyri Çoku, i cili u dekorua nga Qeveria për merita në Luftën Nacional Clirimtare dhe ngjalli indinjatë në opinionin publik.
Propozimi është bërë nga shoqata e ish -të përndjekurve politik të Shkodrës me motivacionin: “Veprimtar politik, mbrojtës i të drejtave të njeriut, promovues i shtetit ligjor, europianizimit dhe demokracisë, mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe Çamëri”.
Votimi u bë i fshehtë dhe 34 anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës votuan pro dhënies së këtij titulli, përfshi edhe të majtët.
Në fjalën përpara këshillit bashkiak, profesor Romeo Gurakuqi, kryetar i komisionit për dhënien e titujve në Bashkinë Shkodër e cilësoi Sami Repishtin si një udhëheqës të shqiptarëve.