‘Shkodra Elektronike’ ndan ethet e kualifikimit në finalen e Eurovision

“Zjerm” dhe Shkodra Elektronike ndezën emocionet dhe krenarinë shqiptare në zemër të Zvicrës, në Bazel, duke e çuar Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovision, që do mbahet në datën 17 Maj.


Me ndërthurje të fuqishme mes muzikës tradicionale shqiptare dhe tingujve elektronikë bashkëkohorë “Zjerm” solli një perfomancë fantastike. Dy artistët e Shkodrës Elektronike, Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji përçuan me emocion të thellë një mesazh artistik shqiptar që nuk njeh kufij.

Betariçe u ngjit në skenë me një fustan të kuq, asimetrik, dizajnuar nga vetë nëna e saj, i cili u kthye në simbolin e Rozafës, duke simbolizuar kështu identitetin tonë kombëtar. “Zjerm” është renditur në 20 performancat më të ndjekura në kanalin zyrtare të Eurovision 2025, që nga muaji Prill, duke u bërë virale në mbarë Evropën dhe më gjerë.

Në edicionin e 69 të Eurovision, Shqipëria shkon në finale me më shumë se një këngë, me një zjarr që nuk mund të shuhet dhe një këngë që përjetohet, ku çdo fjalë për vlerat atdhetare dhe ato patriotike merr ‘zjerm’.

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji ndajnë emocionet e kualifikimit të Shqipërisë në finalen e Eurovision.

Rudina Magjistari: Më tregoni pak nga nata e mbrëmshme emocionet, para se të hynit në skenë, ndonjë ritual që bëtë para, kur dolët menjëherë…Më përshkruani pak se si ishte atmosfera mbrëmë, para dhe pas performancës tuaj.

Beatriçe Gjergji: Atmosfera ka qenë shumë e bukur, sepse festivali është i organizuar në një mënyrë perfekte. Energjia e skenës ka qenë fantastike. Ne kemi bërë shumë prova, kemi bërë dhe shumë prova me publikun, mendoj se kjo gjë na ka përgatitur disi, për adrenalinën që të jep ajo skenë. Nuk di se çfarë të them dhe si ta përshkruaj, është një gjë shumë e bukur. Është një situatë kaq perfekte, saqë duket si një ëndërr. Me teknika fantastike, me njerëz që punojnë atje dhe publiku na ka ndihmuar e mbështetur shumë.

udina Magjistari: Flamuri shqiptar që spikaste vazhdimisht gjatë gjithë kohës me ethe duke pritur që të dilnit ju në skenë dhe për t’iu ndjekur më pas me shumë duartrokitje dhe me shumë jehonë. Flasim pak për konceptin e performancës suaj sepse gjithçka, fliste shumë për Shqipërinë dhe identitetin tonë. Kënga në vetvete, është një këngë e mrekullueshme, sa më shumë e dëgjon, aq më shumë e do atë këngë. Shumë origjinale në vetvete. Kuqezi skena, e ndarë në dy ngjyra, pamë ato elementet kombëtarë, pamë qilimat, simbole të traditës shqiptare. Më tregoni pas se si keni punuar për konceptin e performancës së këngës suaj.

Kolë Laca: Ne kemi bashkëpunuar me një agjenci kreative, të cilëve u shpjeguam që ne donim, që nga ana vizive të përkthehej teksti dhe ideja e këngës. Kjo ka qenë puna e tyre, për ta bërë në një mënyrë të tillë që njerëzit edhe pse nuk e kuptojnë shqipen, edhe pse nuk e kuptojnë se për çfarë flitet të perceptojnë idenë e këngës nga ana vizive.

Tani të gjithë sytë e shqiptarëve janë tek “Shkodra Elektronike” dhe na ngelet vetëm t’u themi “shndrit” në natën finale të Eurovision./tvklan.al



Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT