Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në qytetin e Shkodrës. Policia njofton se rreth orës 16:00, në lagjen “Mark Lula”, në Shkodër, shtetasi M. P., para banesës së tij, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. M, me detyrë Drejtor i Ujësjellësit në Bashkinë Shkodër dhe djalin e tij K. M., i ka plagosur të dy me armë zjarri pistoletë.
Shtetasi M. M. dhe djali i tij K. M. janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të ngjarjes, shtetasit M. P, 43 vjeç, të cilit në momentin e kapjes shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan edhe armën me të cilën ky shtetas plagosi shtetasit M. M. dhe K. M.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.