Një operacion i gjerë i Guardia di Finanza në Brescia ka goditur një rrjet të strukturuar trafiku ndërkombëtar droge, i cili drejtohej dhe operohej nga shqiptarë. Gjykata miratoi 24 masa sigurie, mes të cilave 9 arrestime.
Në total, 49 persona janë vendosur nën hetim, 46 prej tyre me origjinë shqiptare, të cilët sipas autoriteteve italiane luanin rol kyç në importimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sasia e sekuestruar e parave arrin në rreth 3 milionë euro, ndërsa fitimet e krijuara nga trafiku i drogës vlerësohen në rreth 12 milionë euro.
Sipas hetuesve, rrjeti funksiononte duke importuar kokainë nga Amerika e Jugut dhe heroinë nga Shqipëria, të cilat më pas shpërndaheshin në zonën e Brescias dhe në rajone të tjera të Italisë. Hetimi ka zbuluar gjithashtu përdorimin e metodave të sofistikuara transporti: disa shoferë autobusësh transportonin drogën pa dijeninë e tyre, ndërsa kamionistë të caktuar bashkëpunonin drejtpërdrejt me klanet kriminale.
Autoritetet italiane e cilësuan operacionin një goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar shqiptar në Itali, duke theksuar përfshirjen e një rrjeti të mirëstrukturuar, me role të qarta dhe kanale të qëndrueshme furnizimi. Sipas Guardia di Finanza, hetimet kanë zbuluar një organizim të ngjashëm me modelet klasike të grupeve kriminale që operojnë në nivel ndërkombëtar.
Pas arrestimeve dhe sekuestrimeve, hetuesit kanë deklaruar se puna vazhdon për të identifikuar të gjitha degët e rrjetit dhe për të ndjekur rrugët e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.














