Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar propozimin për shkarkim të Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë.
Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.
Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025) vendosi që Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.
Por këshilltarët demokratë kërkuan që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Duhet theksuar se mosparaqitja e Erion Veliajt në detyrë si kryebashkiak i Tiranës ka ndodhur për shkak të arrestimit të tij. Ai është në arrest në burg që prej 10 shkurtit, pra më shumë se 6 muaj, edhe pse vetë ka kërkuar disa herë nga gjykata që të hetohej me një masë më të butë sigurie, togat e zeza e patën refuzuar.
SPAK e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza ndaj kryebashkiakut, prej të cilave korrupsion në 9 raste.