Kuvendi vendosi sot shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.
72 deputetë votuan pro shkarkimit të ish-ministrit të Financave, cka tregon se socialistët kanë qenë të ndarë në lidhje me këtë vendim.
Zyrtarisht mazhoranca ka 79 mandate në Kuvend dhe rezulton se minimumi 7 deputetë nuk kanë qenë dakord me propozimin për shkarkimin e Malajt nga bordi i BSH.
Gjatë fjalës së tij Malaj theksoi se i mirëkuptonte deputetët e mazhorancës për zgjedhjen e tyre pasi sipas tij kryeministri Edi Rama është kthyer në një njeri të frikshëm për ata dhe vetë familjet e tyre.
“Keni goditur shpesh pas shpine shoku Rama, por unë nuk e kam bërë asnjëherë”, tha ai ndër të tjera.
Ndasia për Malajn ka qenë më e madhe edhe se ajo për ‘paketën anti-shpifje’ e cila u miratua me 82 vota pro, por mori abstenimin e Ditmir Bushatit i cili e cilësoi atë një hap të nxituar. /Opinion.al