Është shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit prokurorja Antoneta Sevdari. Ajo më parë kishte kaluar procesin e Vettingut, por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik.
Antoneta Sevdari u zgjodh edhe si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një institucion që është krijuar pas miratimit të reformës në drejtësi. Nuk dihet ende se si do të jetë procedura për zëvendësimin e saj.
Komisioneri publik e ankimoi vendimin e Këshillit të Pavarur të Kualifikimit, pasi shfaqi dyshime për të ardhurat e bashkëshortit të saj në Greqi dhe në Arabinë Saudite.
“Subjekti nuk ka dhënë prova për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave. Komisioneri Publik i lë në dorë KPA-së të jap vendimin lidhur me largimin ose jo të detyrës. Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari”, thuhej në arsyetimin e Komisionerit Publik.
Ndërkohë vetë Antoneta Sevdari deklaroi se ankimimi i Komisionerit Publik nuk ishte i bazuar në ligj./Opinion.al