Ish-anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë, Arben Malaj ka paditur Kuvendin e Shqipërisë pas shkarkimit të tij nga ky post. Bëhet ditur se Malaj e ka paditur Kuvendin në Gjykatën Administrative.
Malaj u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2016 për një mandat zëvendësues ndërsa u rizgjodh për një mandat të plotë shtatëvjeçar nga votat e socialistëve në dhjetor 2018.
Më herët Malaj ka qenë ministër dhe deputet i Partisë Socialiste ndërsa për një periudhë kohe drejtoi një grupim brenda socialistëve të njohur si “Lëvizja e Mendimit Ndryshe”.
Ai garoi si deputet i pavarur në Vlorë në vitin 2013 por u zgjodh në Këshillin Mbikëqyrës të BSH nga vetë socialistët më 2016 dhe 2018.
Megjithatë Malaj ka qenë kritik ndaj qeverisë “Rama” si dhe në veçanti, ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj./Opinion.al/