Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi akuzohen se shisnin medikamente kontrabandë, gjatë periudhës së Covid-19.
Mësohet se në pranga ka rënë Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie; Florian Marku 39 vjeç, administrator i një farmacie; Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh; Florian Lila 40 vjeç, administrator i një farmacie; Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.
Arrestimi i tyre u krye pas një hetimi 10-mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.