Aktualitet

Shifrat e KLSH: Qeveria fshehu deficitin buxhetor, shkelet ligji


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:05 - 05/11/20 |
Opi Nion

Për të tretin vit radhazi Kontrolli i Lartë i Shtetit pretendon se qeveria po raporton treguesin e deficitit buxhetor në vlerë më të ulët se sa realiteti.

Deficitit faktik i raportuar nga Ministria e Financave paraqitet në 1.87% të PBB-se (-31 miliardë lekë). Por raporti i Kontrollit të lartë të Shtetit për Zbatimin e buxhetit në vitin 2019 thekson se, deficiti buxhetor për njëjtën periudhe është 0.4 për qind të PBB më i lartë pra 2,27 % e PBB-së, pasi nuk është përllogaritur mbulimi i humbjeve nga rivlerësimi i rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë prej 6.8 miliard lekësh.

Ky nënvlerësim nga mos emetimi dhe mos raportimi jep të njëjtin efekt nënvlerësues në stokun e borxhit publik të raportuar në fund të vitit 2019, vë në dukje KLSH.

Si konkluzion, KLSH thekson se, raportimi i zërave në pasqyrën e konsoliduar të treguesve fiskalë, vijon të mbetet formal duke mos reflektuar saktë dhe në mënyrë të plotë nivelin real të shpenzimeve buxhetore dhe si pasojë edhe deficiti vjetor, i cili sipas KLSH, bazuar në një vlerësim të kujdesshëm, për vitin 2019 arrin arrin në 2.27% të PBB-së.

Ky nivel është në shkelje të ligjit për menaxhimin e buxhetit, sipas të cilit “në çdo ligj vjetor fillestar të buxhetit, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, kur rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto, e parashikuar në raportin respektiv “Perspektiva ekonomike botërore”, të FMN-së, është, të paktën 5 për qind, atëherë deficiti i përgjithshëm nuk mund të jetë më i lartë se 2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, përveç rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të nenit 4/4, të këtij ligji;” (shënim i Monitor).

Deficiti buxhetor për vitin 2019, ishte parashikuar në vlerën 32,900 milion lekë sipas Ligjit të Buxhetit të vitit 2019 dhe Akteve Normative dhe është realizuar në masën 31,548 milion lekë ose realizuar në masën 95,5%. Krahasuar me vitin 2018, deficiti buxhetor është rritur në masën 5,310 milion lekë ose është rritur në masën 20%. Sipas MFE, deficiti në raport me PBB rezulton në masën 1.87%, pra brenda kufirit prej 2%. Por KLSH pretendon se shifra nuk është reale dhe e nënvlerësuar më se paku 55 milionë euro.

Edhe në këtë raport KLSH, evidenton dobësitë dhe thyerjet e sistemeve të kontrollit përgjatë të gjithë ciklit buxhetor, programim të dobët, çelje buxhetore, alokime dhe rialokime jo gjithmonë të dokumentuara, pasuar me mos regjistrim të shpenzimeve për të qëndruar në vlerën e buxhetit të miratuar, marrjen e angazhimeve buxhetore nëpërmjet nënshkrimit të kontratave pa pasur në dispozicion fondet e miratuara në buxhet, mos regjistrimin, regjistrimin pjesor apo regjistrimin jo në periudhën e duhur buxhetore të kontratave publike, si dhe raste të realizimit formal të shpenzimeve kryesisht për investime në fund të vitit, devijime që janë në mospërputhje me kërkesat e Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Sipas KLSh-së, mungesa e masave që do të adresonin saktë përgjegjësitë dhe do të minimizonin efektet e pafavorshme që shkaktojnë këto devijime për buxhetet e viteve të ardhshme, sjellin presion rritës mbi nivelin e borxhit publik dhe risqe mbi konsolidimin fiskal të synuar përmes Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike./Monitor

Pas