Janë gjetur trupat e dy prej gjashtë punëtorëve që u zhdukën në ujë pas shembjes së urës Francis Scott Key në Baltimore, e goditur nga një anije tregtare rreth orës 01:30 të së martës në mëngjes.
Një zëdhënës i Policisë së Shtetit të Maryland tha se zhytësit gjetën një kamionçinë të kuqe rreth 25 metra poshtë në ujë, brenda të cilës ishin dy burra të bllokuar në automjet. Bëhet fjalë për një punëtor 35-vjeçar meksikan dhe një 26-vjeçar nga Guatemala.
Ekipet e kërkim-shpëtimit nuk mund të lundrojnë të sigurtë në ujëra për shkak të betonit dhe të mbeturinave të gjetura në lumë. Ata po përdorin metodën me skanim dhe besojnë se në automjete mund të jenë brenda trupat e tjerë, por betoni i shkaktuar nga shembja e urës e bën shumë të vështirë operacionin e tyre.
Kujtojmë se 6 persona, që u zhdukën, u shpallën të vdekur.