Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shpërthyer në kritika të forta ndaj komunitetit ndërkombëtar për indiferencën ndaj situatës humanitare në Gaza.
“Nuk arrij të shpjegoj nivelin e indiferencës dhe mosveprimit që shohim nga shumë njerëz në komunitetin ndërkombëtar: mungesën e dhembshurisë, mungesën e së vërtetës, mungesën e njerëzores”, tha Guterres, gjatë një fjalimi përmes videolidhjes në asamblenë globale të Amnesty International.
Duke iu referuar vuajtjes së palestinezëve në Rripin e Gazës, ai theksoi se bota po dështon në përballjen me atë që ai e quajti një “krizë morale”.
“Kjo është një krizë që vë në provë ndërgjegjen globale”, shtoi ai.
Deklaratat e Guterres vijnë në një kohë kur situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet, me mijëra civilë që përballen me uri ekstreme, mungesë ndihme dhe sulme të vazhdueshme.